E Martë, 3 Nëntor 2026

Kërcënoi kandidaten për deputete, Policia: 45-vjeçari me probleme të shëndetit mendor

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Policia e Durrës në një njoftim për mediet sqaron ngjarjen e ndodhur në qytetin bregdetar, ku një person u dyshua se kishte kërcënuar me armë zjarri kandidaten e subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, Valbona Myhedini.

Ishte kryetari i forcës politike “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, më herët në rrjetet sociale bëri të ditur se “një person i armatosur në Durrës ka kërcënuar me armë kandidaten tonë Valbona Myhedin dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, pranë shkollës “Eftali Koçi”. Valbona Myhedin, shtetase amerikane, është përballur me një akt burracak frikësimi, që nuk do të kalojë nën heshtje.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të veprojë menjëherë, ndërsa do vëmë në dijeni Ambasadën amerikane. Ai që i tregoi armën dy grave, do përgjigjet para ligjit! Rrugëtimi ynë nuk ndalet! 11 maji është afër!”, shkruan Lapaj.

Policia njofton se Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, sapo janë njohur me denoncimin publik të bërë nga Adriatik Lapaj, menjëherë kanë nisur punën për verifikimin e rastit.

Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve në terren, kanë bërë të mundur identifikimin e personit dhe kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërkohë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës është paraqitur për të bërë kallëzim kandidatja për deputete, Valbona Myhedini.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe kontrolleve intensive në terren, rreth orës 21:15, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Durrës të shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), të cilën 45 vjeçari e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ja treguar shtetases Valbona Myhedini për të kërcënuar.

Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik. Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale në ngarkim të tij.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe subjektet politike se shërbimet e Policisë janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor, të baraslarguara nga subjektet politike dhe vetëm në shërbim të ligjit.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›