Kërcënon AKR’ja
Partia e Hashim Thaçit mund të mbetet pa partnerë të koalicionit në Qeveri nëse nuk e përmbushë marrëveshjen me AKR’në e Behgjet Pacollit.
Ky është kërcënimi i partnerit të vogël të koalicionit, AKR, e cila kërkon që përsëri të merr postin e Presidentit.
Ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë si jo kushtetuese zgjedhjen e Behgjet Pacollit në krye të Shtetit.
Megjithëkëtë, partia e Pacollit ka vendosur të kushtëzojë pjesëmarrjen në koalicionin qeverisës duke paralajmëruar largim nga Qeveria.
Zyrtarë të lartë të AKR-së dhe Koalicionit për Kosovë të Re, njëzëri janë pajtuar për të shqyrtuar seriozisht mundësinë e shkëputjes se menjëhershme të Koalicionit Qeverisës.
“AKR në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re, gjatë këtyre konsultave është shprehur e gatshme të ndërpresë kontratën e Koalicionit Qeverisës nëse kjo kontratë nuk do të përmbushet në tërësinë e saj”, thuhet në një njoftim të lëshuar mbrëmë vonë.
“Qëndrimi për shkëputje të koalicionit qeverisës vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit politike në vend”, thuhet më tej në komunikatën e AKR’së.
Sipas burimeve të Express brenda AKR’së thuhet se Pacolli nuk e ka pranuar sugjerimin e Hashim Thaçit që të tërhiqet nga gara për president, duke e lënë kështu rrugën e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Por krejtësisht kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme janë shprehur sponzorizuesit e pavarësisë së Kosovës – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE’së.