E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon Përmbarimin me bombolën e gazit

 

SARANDE - Konflikti për një banesë mes shtetasit Mylazim Boçi dhe Zyrës së Përmbarimit në Sarandë, për pak sa ka përfunduar në një tragjedi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të ditës së djeshme, në afërsi të Turizmit. Boçi ka qenë i njoftuar për ardhjen e ekspertëve të Zyrës Përmbarimore për ekze-kutimin e një vendimi për lirimin prej tij të një dhome që Gjykata e Sarandës ia kish dhënë shtetasit Agron Xhaferi, që të dy komshinj me njëri-tjetrin. Duke pretenduar se hapësira i përkiste atij, 62-vjeçari, banor prej disa vjetësh në këtë zonë, hapi një bombol gazi, duke bërë që banesa dhe ambienti përreth të mbuloheshin nga era e rëndë. Por menjëherë kanë ndërhyrë forcat e policisë të pranishme, duke shmangur rrjedhjen e mëtejshme të gazit. Forcat Speciale të ardhura nga Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë dhe ato të Sarandës, që ndodheshin në vendngjarje në mbështetje të Zyrës Përmbarimore, kanë bërë menjëherë neutralizimin e shtetasit dhe më pas e kanë shoqëruar atë në Komisariatin e Policisë së Rendit Sarandë. Ndërhyrja e tyre në kohë ka bërë që të evitohej një tragjedi e vërtetë, pasi ndezja e sasisë së gazit që kishte rrjedhur, ishte e mjaftueshme për të shkaktuar një shpërthim në një kohë kur rreth vendngjarjes ndodheshin rreth 20 persona, mes tyre edhe shumë policë. Boçi është shoqëruar në polici, ndërsa mësohet se ndaj tij ka nisur hetimi për akuzën e kundërshtimit të punonjësve të Zyrës së Përmbarimit. Konflikti i pronësisë, pas këtij incidenti, ka mbetur ende i pazgjidhur.                                 sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›