E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet tuneli në Kalimash, "shkretohet" autostrada

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

Ka mjaftuar vetëm një ditë e bllokimit të paralajmëruar të tunelit të Kalimasht, që rruga Morinë-Kukës-Tiranë, të shkretohet. Si rrallë këto ditë vere, të cilat kanë qenë më të ngarkuara se kurrë me lëvizje drejt Tiranës dhe Durrësit, dita e djeshme ishte e pazakontë. Jo vetëm pushuesit dhe emigrantët nga Kosova kanë bërë "pushim ", por çuditërisht dhe furgonët nga Kukësi ishin të rrallë nuk janë nisur drejt kryeqytetit. Me sa duket tashmë qytetarët "përtojnë" t'i bien rrugës së vjetër e cila është gati 5 orë më shumë se ajo e autostradës. Edhe në qytetin e Kukësit u shënua lehtësi në qarkullim gjatë ditës së djeshme, kur dihet se ky qytet këtë sezon vere ka qenë tejet i mbingarkuar nga karvanët të makinave. Mësohet se nga pika e kalimit kufitar në Morinë, kanë kaluar gjatë paradites së djeshme afro 10 autobusë dhe fare pak vetura. Shkak duket se është bërë paralajmërimi nga ana e transporteve për bllokimin e tunelit të Kalimashit. Në një ditë normale, numri mesatar i kalimeve të mjeteve në këtë pikë të kalimit kufitar ka qenë rreth 8 mijë. Ndërsa në ditët më të ngarkuara, zakonisht në sezonin turistik, kalimet arrijnë në rreth 18 mijë automjete dhe me mbi 26 mijë kalimtarë. Një nga shoferët e linjës Gjilan-Durrës, që kishte më pak se gjysmën e autobusit të mbushur tha se shumica e pushuesve kanë preferuar të mos udhëtojnë. Ata më mirë presin edhe një ditë, sesa të udhëtojnë në rrugën e vjetër. Temperaturat e larta, rruga që bëhet jo për 2 orë e gjysmë, por për 6 apo 7 orë ka ndikuar që të realizohen vetëm udhëtimet e domosdoshme. Tek hyrja e tunelit të Kalimashit, tabela e vënë dhe postblloqet e policisë kanë zmbrapsur dhe ndonjë tentativë për të kaluar nëpër tunel. Burime të firmës "Becthel Enka", njoftuan që ka nisur puna për riparimin e avarive në galerinë jugore të tunelit që është e hapur. Sipas specialistëve po bëhen riparime elektromekanike si dhe heqja e riparimi i pjesëve që kanë pësuar plasaritje, sidomos në gjatësinë 1.2 km në mesin e galerisë ku nuk është vënë brezi i sigurisë, por janë vënë rrjeta në formë çadrash për të mos lejuar rënien e dherave dhe inerteve. Sipas policisë riparimet pritet të përfundojnë në orën 07:00 të mëngjesit të ditës së enjte (sot) ku do të nisë normalisht udhëtimi në aksin Morin-Kalimash-Rrëshen-Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›