Firma la punimet në mes, ujërat e zeza nëpër qytet
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Prej dy muajsh, një firmë që mori përsipër rikonstruksionin e një pjese të unazës së qytetit të Korçës është zhdukur. Banorët e lagjes nr. 16, iu gëzuan punimeve që nisën pak ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Buldozerë e mjete të tjera të rënda nisën punimet aq sa çanë edhe shumicën e tubacioneve të ujërave të zeza. Por sapo zgjedhjet përfunduan, firma u zhduk, duke lënë punimet në mes. Male dherash kanë mbetur në vend, ndërsa ujërat e zeza kanë vërshuar rrugës duke u përhapur në qytet. Punimet për rikonstruksionin, që fillon nga kryqëzimi i unazës me rrugën që të çon në Kolonjë dhe përfundon tek Varrezat Publike, janë bllokuar. Asnjë punëtor apo drejtues i firmës "Denis 2005" që ka fituar tenderin për realizimin e këtij investimi nuk është dukur më në punë që prej dy muajsh. Gjatë javës së parë të punimeve u arrit që të kryheshin punë "të mëdha" me ekskavatorë. Nga mungesa e kujdesit u zbuluan dhe dëmtuan tubacionet e ujërave të zeza. Për pasojë që në ditët e fundit të qershorit ato dolën në sipërfaqe. Një pjesë e tubacioneve kalojnë para pallateve të reja. Ato janë në sipërfaqe të unazës së Korçës dhe me ndihmën e mjeteve që qarkullojnë mbi to përhapen nëpër qytet. Në fillim të unazës veriore, firma fituese ka çimentuar një tabelë, në të cilën bëhet e ditur se rikonstruksioni i këtij aksi, 600 metra i gjatë do të realizohet me një fond të qeverisë prej 114.148.000 lekë. Por sapo mbaruan zgjedhjet u ndërprenë edhe punimet e firmës ndërtuese "Denis 2005" sh.p.k., ndërsa thuhet se nuk është lëvruar fondi përkatës. Tubacionet e ujërave të zeza edhe pse ishin të reja dhe cilësore, u dëmtuan. Banorët, që janë të detyruar që disa herë në ditë dhe të ecin mbi këto ujëra të zeza ndihen të frikësuar se mos shpërthen ndonjë epidemi e mundshme. Ata janë edhe të irrituar teksa vënë re se askush nuk shqetësohet nga ankesat e tyre. Pushteti lokal, Këshilli i Qarkut dhe Prefektura qëndrojnë indiferentë, në pritje se ndonjë ditë do të vijë firma ndërtuese dhe do të merret me tubacionet e çara të ujërave të zeza. Në pritje të firmës së ndërtimit fëmijët e kësaj lagjeje fshehur prindërve luajnë afër ujërave të qelbura, duke rrezikuar shëndetin e tyre. Banorja S. B., duke folur me shqetësim për këtë vatër infeksioni tregon se gjatë kësaj vere po përjetojnë ndotje të ajrit dhe të banesave, pasi janë shtuar ndjeshëm mizat e mushkonjat. Në tabelën e vënë nga firma ndërtuese shkruhet se rikonstruksioni i këtij aksi të unazës do të realizohet për 12 muaj, por aty nuk thuhet se kur filluan dhe kur do të përfundojnë këto punime.
BANORET
Zvarritjet e punimeve nuk dihet se kur do të marrin fund, ndërsa banorët e kësaj lagjeje u tremben pasojave që mund të kenë në shëndetin e tyre, veçanërisht të fëmijëve. Ata i bëjnë apel firmës "Denis 2005" sh.p.k., e cila nuk dihet se nga erdhi, mbasi nuk është nga Qarku i Korçës, që të vijë të rregullojë të paktën tubacionet që dëmtoi gjatë fillimit të punimeve të këtij rikonstruksioni