Kërcënon punëdhënësin me granatë, gjymtohet vetë
Sarandë-Ka dashur të kërcënojë punëdhënësit me granatë, pasi pretendonte se nuk i ishin dhënë paratë, por ka mbetur i gjymtuar nga shpërthimi i saj. Ngjarja ndodhi mbrëmë ne Sarandë, në vendin e njohur si "Sheshi i autobusëve".
Sipas burimeve të policisë, mësohet se i dëmtuar ka mbetur shtetasi Çezar Hysa, 40-vjeç, i cili ishte i punësuar si çoban, në zonën e Limjonit në Sarandë.
Të dhënat e para hetimore flasin për një konflikt mes tij dhe pronarit për çështje pagese. Pas një sherri që mendohet se ka nisur ditë më parë, ai ka tentuar ta kërcënojë, por pa pasur si qëllim të shpërthente granatën.
Në momendin e debatit, dyshohet se ajo ka shpërthyer aksidentalisht. Si pasojë e shpërthimit, çobani ka humbur parakrahun dhe në gjendje të rëndë është dërguar në spitalin rajonal, për ndërhyrje kirurgjikale.
Në kohën e shpërthimit, në sheshin në qendër të qytetit ka pasur shumë njerëz, të cilët janë alarmuar nga ngjarja. Por për fat nuk ka pasur të lënduar të tjerë.
Policia ende nuk jep një version të saktë të motiveve, duke sqaruar se çështja është në hetim e sipër.