Nobeli për Le Clezio
Jean-Marie Gustave Le Clezio është fitues i Çmimit Nobel 2008 për Letërsinë. Lajmi u njoftua nga Akademia Suedeze. Në motivacionin e tyre akademikët shpjegojnë se ia dhanë këtë çmim shkrimtarit të lindur në 13 prill të vitit 1940, autor i “prurjeve të reja, aventurave poetike dhe ekstazave sensuale, eksplorues i një humanizmi që shkon përtej dhe në thellësi të qytetërimit dominues”. Le Clezio, i cili fitoi ndër të tjera dhe një shumë prej 1,2 milionë eurosh, la pas një numër shumë emra të tjerë shkrimtarësh, të cilët lakohen prej vitesh për këtë titull si, Joyce Carol Oates, Philip Roth, Bob Dylan o Cormac McCarthy, Javier Marias, Lobo Antunes, David Grossman, Alice Munro e Margaret Atëood, etj. I lakuar ka qenë sërish edhe shkrimtari ynë, Ismail Kadare.
Le Clezio, 68 vjeç është një romancier dhe filozof francez. Ishte tepër i ri, kur iu imponua skenës letrare ndërkombëtare me botimin e veprës “Të folurit” (1963).
Falë një stili të pasur me metafora vizionare, Le Clezio i ka dhënë jetë veprave, ku përballesh me kërkimet autentike mbi harmoninë mes njeriut dhe botës ku jeton. Është fokusuar shumë në temat e udhëtimit dhe të ekzilit, si kusht i ekzistencës. Personazhet e tij, shpesh herë të shtyrë nga obsesioni i vdekjes, kërkojnë në mënyra të ndryshme të mbrohen nga agresiviteti i botës moderne.
Përfaqësues idealë të harmonisë esenciale të botës janë për të, indianët e Amerikës, mbi të cilët është mbështetur vepra “Ekstazë dhe materie”, përmbledhja e tregimeve “Bota dhe histori të tjera”, tregimi biografik “Diego e Frida”(kushtuar artistëve Frida Kahlo e Diego Rivera), si dhe shumë romane mes të cilëve “Shkretëtirë”, “Onitsha”, “Dy jetët e Lailës”, romani autobiografik “Revolucioni” dhe “Afrikanët”.