Një ditë për Çabejn
Gjuhëtari Eqrem Çabej, përkujtohet sot, në kuadër të 100- vjetorit të lindjes së tij, me një konferencë shkencore, e cila zhvillohet nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Prof.Dr. Bamir Topi, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bukura, në Kosovë. Në kujtim të gjuhëtarit të shquar, viti 2008 është shpallur si "Viti Çabej", ndaj profesorë dhe akademikë, do të mbajnë kumtesa mbi veprimtarinë shkencore të Çabejt, mes të cilave, "Hyrje në historinë e gjuhës shqipe", "Fonetika historike e shqipes", "Fjalori i gjuhës shqipe", "Drejtshkrimi i gjuhës shqipe", si dhe shumë botime të tjera në folklor, etnografi dhe histori letrare.Eqrem Çabej, një nga figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare, lindi më 6 gusht të vitit 1908 në Gjirokastër. Shkollën fillore e kreu në vitin 1921 në vendlindje dhe vazhdoi studimet e larta për Filologji në Austri, fillimisht në Klagenfurt (1923-1926), Grac (1927) dhe Vjenë (1930), ndërsa më pas, u specializuar në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Me rëndësi të madhe janë dhe studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Prof. Eqrem Çabej ka dhënë një ndihmë të çmuar me një varg sqarimesh etimologjike gjatë hartimit të "Fjalori i gjuhës shqipe", botuar në Tiranë më 1980.