E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peticioni për largimin e Bashës, firmosin 14 deputetë

Nisma e lëvizjes “Mjaft” i është drejtuar Presidentit, kryeministrit për shkarkimin e Bashës

TIRANË- Qindra qytetarë, mes të cilëve dhe shumë politikanë i janë bashkuar dje peticionit të lëvizjes “MJAFT” drejtuar Presidentit të Republikës dhe kryeministrit të vendit për shkarkimin e ministrit të Jashtëm Lulëzim Basha. Të organizuar dje në hyrje të Kuvendit të Shqipërisë, aktivistë të kësaj lëvizje kanë mundur të sigurojnë firmat e një numri të konsiderueshëm qytetarësh për nismën e tyre, midis të cilëve edhe të 14 deputetë. Erion Braçe, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Petro Koçi, Spartak Braho, Marko Bello, Ndre Legisi, Dritan Prifti, Bashkim Fino, Diana Çuli, Besnik Dervishi, Angjelina Kola dhe Stefan Çipa janë deputetët opozitarë që i janë bashkangjitur listës së qytetarëve që kërkojnë largimin e Bashës nga Ministër i Jashtëm, si i padenjë për të mbajtur një post të tillë për shkak të implikimit të tij në dy çështje kompromentuese siç është ajo e skandalit të rrugës Rrëshen-Kalimash dhe së fundi në çështjen “Fazlliç”. Ndërkohë kësaj liste nuk i ka munguar as emri i deputetit të zgjedhur me votat e Partisë Demokratike, Gilman Bakalli, i cili prej kohësh është distancuar nga qeverisja e djathtë. Megjithatë, ashtu siç shprehen edhe vetë përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje në njoftimin e tyre për shtyp, kjo nismë nuk ka gjetur mbështetjen e pritur të paktën nga deputetët e opozitës, një pjesë e të cilëve kanë refuzuar të hedhin firmën e tyre me argumentin se besojnë ende tek forca e kartonit në Kuvend. Pavarësisht kësaj, Leart Kola aktivist i kësaj lëvizje tha se MJAFT do të mundësojë dërgimin e këtij peticioni në çdo shesh kryesor të qyteteve shqiptare në mënyrë që çdo qytetar, i cili ndihet i turpëruar nga Basha ministër, të firmosë për shkarkimin e tij. Në peticionin e saj lëvizja “MJAFT” shprehet se “ministri Basha, rezulton të jetë, bashkëpunëtor kryesor në Shqipëri i një prej të dyshuarve nga Interpoli si kryemafioz në të gjithë rajonin: Damir Fazlicc. I lidhur direkt me këtë të fundit, përmes të afërmve të ngushtë të tij, Lulëzim Basha përfaqëson sot një figurë turpëruese për diplomacinë shqiptare”. Më tej, në peticion nënvizohet se, “qytetarët e këtij vendi nuk munden ta pranojnë më politikisht, si kreun e diplomacisë, një person të dyshuar për krime e të hetuar po për krime, nga organet më të larta të drejtësisë në Shqipëri”. Sipas “MJAFT” qëndrimi i mëtejshëm i Bashës në qeveri, dëmton Shqipërinë, por edhe përpjekjet e Kosovës në procesin e njohjes së Pavarësisë së saj. Duke marrë shkas nga sa më sipër, “MJAFT” kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Lulzim Bashës nga posti i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve ndaj këtij personi, por njëkohësisht transparencë maksimale të këtyre hetimeve.

Deputetët firmëtarë të Peticionit:

1.Ilir Meta

2.Erion Braçe

3.Skënder Gjinushi

4.Petro Koçi

5.Spartak Braho

6.Ndre Legisi

7.Dritan Prifti

8.Diana Çuli

9.Marko Bello

10.Gilman Bakalli

11.Bashkim Fino

12.Besnik Dervishi

13.Angjelina Kola

14.Stefan Cipa

PD nuk ka pranuar të përcaktohet një datë fikse se kur duhet të raportojë Berisha, për shkak të axhendës së këtij të fundit

“Fazlliç”, PD zvarrit mocionin ndaj Berishës

TIRANË- Pavarësisht vullnetit të shprehur edhe publikisht, kryeministri Sali Berisha refuzon të paraqitet në një seancë të posaçme plenare për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës në një mocion me debat për lidhjet e tij me sekserin boshnjak Damir Fazlliç. Kjo të paktën s’ka për të ndodhur gjatë dy seancave të radhës që priten të mbahen gjatë javës së ardhshme. Mazhoranca në Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare nuk ka pranuar kërkesën e opozitës për ta zhvilluar debatin gjatë javës së ardhshme. Siç mësohet nga burime në Kuvend, mbledhja është përqendruar kryesisht në diskutimet rreth kësaj çështjeje, ku opozita dhe pozita kanë debatuar për një kohë të gjatë për momentin kur edhe duhet të mbahet mocioni me debat me kryeministrin. Kështu, përfaqësuesit e majtë, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, e mbështetur edhe nga socialdemokratja Diana Çuli ka këmbëngulur që kjo seancë të mbahet ditën e enjte, duke përjashtuar seancën e së hënës për shkak të debatit që pritet të mbahet për çështjen e raportit faktik të vitit 2007. Por kjo kërkesë ka hasur në kundërshtimin e përfaqësuesve të shumicës, të cilët, megjithëse janë shprehur parimisht pro mocionit, nuk kanë pranuar të përcaktojnë kohë, duke kërkuar që t’i japin kohë kryeministrit deri në një moment tjetër, duke shpresuar në këtë mënyrë që çështja “Fazlliç” të ketë humbur jehonën që ka aktualisht. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka kundërshtuar përcaktimin e një afati kohorë me argumentin se nuk mundet Kuvendi t’i përcaktojë kryeministrit axhendën e tij të punës. Për këtë arsye, ai ka kërkuar që përpara se të vendoset data se kur do të mbahet kjo seancë debati, të merret me parë pëlqimi i vetë kryeministrit për kohën se kur është i gatshëm të përgjigjet për pyetjet e parashtruara nga opozita. “Mocioni nuk është vendosur ende në kalendar se nuk dihet axhenda e Berishës që është jashtë shtetit”, - u shpreh kryetari i grupit demokrat Astrit Patozi menjëherë pas mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve. Ndërkohë konferenca ka miratuar edhe kalendarin e saj të punimeve për periudhën kohore 13 tetor – 3 nëntor.  

----------------------------------------------------------------------------Deputeti i PS-së, Taulant Balla, denoncon lidhjet e Berishës me Damir Fazlliç

Balla: Miku i Berishës, pjesë e klanit vrastar të Zemunit

TIRANË- Me dokumentet në dorë që vërtetojnë shitjen e Kompanisë “Crown Acquisitions”, një kompanie qipriote në vlerën e1.75 milionë eurove, deputeti i PS-së, Taulant Balla ka denoncuar dje në Kuvend faktin që një kompani me vetëm pak letra pa asnjë veprimtari ekonomike, pa paguar as edhe një taksë, është shitur në një vlerë të tillë. “Nuk ka asnjë dyshim, se ngritja e këtyre kompanive fantazmë, sikurse “Crown Acquisitions”, vendosja e njerëzve të besuar familjarë si administratorë apo si ekspertë kontabël, përkatësisht kunati i Lulzim Bashës dhe mbesa e Sali Berishës, dhe më pas shitja e disa letrave si aset i vetëm me asistencën e zyrës së avokatisë së vajzës së Sali Berishës, është prova më e qartë se shteti është vënë përfundimisht nën hyqmin dhe kontrollin e një klani të rrezikshëm mafioz”, tha dje Balla gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend. Deputeti i PS-së iu referua edhe vizitës së shkurtër të Damir Fazlliç në Tiranë, për të cilin, vetëm dy orë pas largimit të tij, organi i akuzës filloi procedimin penal. “Sali Berisha solli dje në Shqipëri serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, duke e garantuar se ai do të largohej pak para se ndaj tij Prokuroria të fillonte procedimin penal. Por, ç'është ky mik kaq i ngushtë i Kryeministrit tonë? A ju shqetëson ju sadopak kolegë të mazhorancës, që Kryeministri i Shqipërisë ka një mik që në Serbi akuzohet se ka marrëdhënie të ngushta me vrasësit e ish/Kryeministrit pro perëndimor serb, Zoran Xhinxhiç? A ju shqetëson ju sadopak si shqiptarë, që Kryeministri ynë na paska një mik të ngushtë, i cili arrestohet në prani të kryekriminelit të masakrës së Srebrenicës, Nasër Otiç? A ju vret ndërgjegjja dhe shqetësimi moral, që një gjysmë etnik serb, tëcilin bashkëkombësit e tij e vendosin përkrah mafies më të rrezikshme të Ballkanit, Klanit vrastar të Zemunit, Kryeministri ynë i ofron miqësi shumë të ngushtë?”,- tha dje Balla. Deputeti i PS-së vijoi më tej. “A duhet të shqetësohemi ne të gjithë si ligjvënës të këtij vendi, se sipas fakteve të publikuara nga mediat deri më sot, rezulton se Damir Fazlliç ka marrë realisht 1 milion e 750 mijë euro, jo për të shitur një kompani fantazmë, por për të marrë bakshishin e blerjes së energjisë nga firma serbe "Rudnap", e cila na ka shitur 34.3 milionë euro energji?”, tha ai

---------------------------------------------------------------Ministri i Brendshëm reagon ndaj akuzave të opozitës

Nishani mohon mbrojtjen e Policisë për Fazlliç

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka mohuar dje faktin se Policia e Shtetit i ka ofruar mbështetje Damir Fazlliç, gjatë qëndrimit të shkurtër në Tiranë. Gjatë seancës së djeshme parlamentare, Nishani tha se punonjësit e Policisë së terminalitkanë zbatuar thjesht një procedurë rutinë.“Janë të pavërteta spekulimet që bëhen për shkak të punës rutinë të punonjësve të Policisë së terminalit të aeroportin “Nënë Tereza”, të cilët gjatë 24 orëve të punës së tyre janë të detyruar të zbatojnë për shkak të ligjit kontrollin dhe ndihmën e kërkuar nga të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj për kalimin e pikës kufitare qofshin ato në hyrje, qofshin ato në dalje”,- tha ai. Ministri i Brendshëm mori përsipër që të hedhë poshtë edhe faktet e publikuara në shtypin e përditshëmpër implikimin e Damir Fazlliç me kompanitë e huaja që kanë investuar në Shqipëri. “Eshtë normale që një kompani e madhe ndërkombëtare që investon në Shqipëri të ketë degët dhe të investojë edhe në Serbi, të ketë degë dhe të investojë edhe në Maqedoni, Kosovë, Bosnje apo Malin e Zi. Por tentativat për t’i perceptuar kriminale këto kompani që po krijojnë sot jo vetëm vende pune, jo vetëm të ardhura ekonomike, jo vetëm infrastrukturë për vendin janë më shumë sesa spekuluese,”-tha ai

-------------------------------------------------------------------Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, ka deklaruar dje se lobi serb ka pushtuar Shqipërinë

Braçe: Qeveria, e kapur nga klanet mafioze serbe

TIRANË- Dështim total i shtetit shqiptar. Ky ka qenë përkufizimi që i ka bërë opozita sjelljes së institucioneve të sigurisë së shtetit shqiptar ndaj vizitës blic dhe tërë pompozitet që bëri dy ditë më parë në Tiranë i dyshuari për megamashtrime financiare, shtetasi boshnjak Damir Fazlliç. Duke marrë shkas pikërisht nga mburoja shtetërore që iu vu në dispozicion Fazlliçit gjatë kësaj vizite disaorëshe, dhe mungesës së reagimit të institucioneve të zbulimit dhe hetimit, deputetët opozitarë nga podiumi i Kuvendit kanë denoncuar atë si kapje të shtetit nga kriminelët serbë. Numri dy i grupit parlamentar socialistë, Erion Braçe, ka qenë tepër i ashpër në fjalën e vet, ku ka akuzuar drejtpërdrejtë kryeministrin Sali Berisha se ka urdhëruar dështimin e institucioneve të sigurisë kombëtare. “Të gjithë këto institucione të mërkurën dështuan, sot nuk ekzistojnë më! Të paktën nga pikëpamja e zbatimit të Kushtetutës, zbatimit të ligjit, funksionimit të tyre në luftë kundër krimit dhe natyrisht, garantimit të sigurisë kombëtare në këtë vend. Të gjitha këto institucione u urdhëruan dje të dështonin, të bënin sehir se si kryeministri me një polic të shtetit, garantonin të bridhte lirisht në mes të kryeqytetit një pleh i krimit të organizuar, njeriu më i akuzuar për krime të përbindshme në Ballkan, korrieri më i besuar i kriminelëve më në zë të Serbisë, Bosnjes”, - u shpreh Braçe gjatë fjalës që mbajti gjatë minutazhit të diskutimeve jashtë rendit të ditës. Sipas tij, është akoma më skandaloz fakti që qeveria dështon në mbrojtjen e dëshmitarëve të korrupsionit shtetëror siç është rasti i Kosta Trebickës dhe arrin të mbrojë me policë civilë dhe uniformë persona që tashmë kërkohen edhe nga prokuroria shqiptare, si të implikuar në evazion dhe mashtrime të mëdha financiare. “Këto institucione që u mbytën në luftën e kompetencave në rastin Trebicka, kjo qeveri e Sali Berishës që nuk i vuri një polic roje Kosta Trebickës për t’i mbrojtur jetën, dje i vuri një komisariat të tërë policie në shërbim një krimineli”, - tha Braçe. Këto fakte sipas tij tregojnë më së miri kapjen e kryeministrit dhe qeverisë shqiptare nga klane mafioze që kanë qendrën e tyre në Beograd dhe që si përfaqësues të tyre kanë njerëzit e ish-diktatorit Sllobodan Millosheviç. “Shqiptarët e Kosovës, Presidenti i tyre, Kryeministri i tyre, ministrat e tyre duhet të dëgjojnë këto emra: Jovica Stanisiç – ish shefi i UDB nga ’91 – ’98, Marko Milosheviç – i biri gjithë jetën i Milosheviçit, Voisllav Koshtunica- kryeministri deri pak muaj më parë i Milosheviçit, Aleksandër Tijaniç- Shefi i Kabinetit i kryeministrit të Sllobodan Milosheviçit, Vuk Jeremiç – Ministri i Jashtëm aktual, Zhelko Raznjatoviç - Arkan – ish-shefi i bandave kriminale që shfarosën shqiptarët, dhe biznesmenët e tyre Miroslav Mishkoviç, Fahrudin Radançiç, Vojin Lazareviç, Pero Matiç, Hervoje Petraçi, Vuk Hamoviç, dhe me në fund korrieri i tyre Damir Fazlliç, kanë vënë Shqipërinë nën këmbë, e përdorin, e përdhosin, e vjedhin, e kanë kapur. Liria jona është në dorë të tyre tani”, - deklaroi më tej Braçe. Sipas socialistëve është jo e rastësishme që shumica e investimeve kryesore në vend dhe sektorëve kyç të ekonomisë shqiptare i janë dhënë për administrim kompanive me kapital serb ose që më së paku kanë filiale në Serbi. Kështu, Braçe ka prurë në vëmendje të Kuvendit se Shqipëria sot në disa fusha siç është energjia apo edhe drithërat është e varur totalisht nga investitorët serbë, të cilët kanë fituar të drejtën nga qeveria shqiptare për të furnizuar vendin tonë me këto mallra jetikë. “Shqipëria, 95 % të energjisë së saj të importit që i nevojitet për konsum e merr nga Serbia, 5 firma që vijnë e shtohen duke rritur çmimet nga 2005 deri në 2008 deri në 400 %. Sot Shqipëria, 60 % të drithit e importon nga Serbia, pra bukën e gojës. Sot veprat më të mëdha publike po na “i ndërtojnë” po përsëri serbët. Mbikalimin këtu në mes të Tiranës, autostradën Levan – Vlorë, autostradën Levan – Tepelenë, ByPass-in e Fierit, rrugën Milot- Rrëshen, terminalin e pasagjerëve në Portin e Durrësit i ndërton “Alpine” dega e saj në Serbi”, - tha Braçe duke bërë të ditur se ndërmjetësi i këtyre marrëveshjeve me qeverinë shqiptare ka qenë pikërisht Damir Fazlliç. Nisur pikërisht nga të gjitha këto fakte, nënkryetari i grupit socialist, Braçe, i ka bërë thirrje prokurorisë që të shpallë urdhër arresti ndërkombëtar për Fazlliç, ndërsa ka kërkuar prej saj që të nisë procedim penal për të gjithë ata që e penguan organin e akuzës të zbatonte urdhrin për ndalimin e Fazlliçit.

Pjesë nga fjala e Braçes

95 % të energjisë së saj e merr nga Serbia

5 firma që vijnë e shtohen duke rritur çmimet deri në 400 %.

60 % të drithit e importon nga Serbia.

Mbikalimin këtu në mes të Tiranës, autostrada Levan – Vlorë, autostrada Levan – Tepelenë, ByPass-i i Fierit, rruga Milot- Rrëshen, terminali i pasagjerëve në Portin e Durrësit i ndërton “Alpine” dega e saj në Serbi

Emrat që përmendi dje Brace, për lidhje me Fazlliç

Jovica Stanisiç - ish shefi i UDB nga ’91 – ’98

Marko Milosheviç - i biri i Milosheviçit

Voisllav Koshtunica- kryeministri deri pak muaj më parë i Milosheviçit

Aleksandër Tijaniç- Shefi i Kabinetit i kryeministrit të Sllobodan Milosheviçit

Vuk Jeremiç – Ministri i Jashtëm aktual

Zhelko Raznjatoviç - Arkan – ish-shefi i bandave kriminale që shfarosën shqiptarët, dhe biznesmenët e tyre Miroslav Mishkoviç, Fahrudin Radançiç, Vojin Lazareviç, Pero Matiç, Hervoje Petraçi, Vuk Hamoviç

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›