Kërcënonte me SMS ish-të dashurën pas ndarjes, burg për 29-vjeçarin
—-Nga Arisa Liço—-
Tiranë- Një 29-vjeçar është dënuar ngja gjykata e Tiranës pasi nëpërmjet mesazheve telefonike dhe gjatë takimeve ka karcënuar ish- të dashurën e tij, duke mos pranuar ndërprerjen e lidhjes së dashurisë që kanë patur midis tyre.
M. Doçi, 29-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, ka patur me shtetasen O.M, një lidhje dashurie si dhe kanë bashkëjetuar në vitin 2012, për rreth tetë muaj. Më pas, kanë ndërprerë marrëdhëniet e tyre me datë 20.01.2013.
Doçi, ka rezultuar i pakënaqur nga ndërprerja e kësaj marrëdhënie dhe ka filluar ta shprehë ndaj ish-të dashurës së tij, duke ushtruar në disa raste presion psikologjik.
29-vjeçari në periudha dhe kohë të ndryshme ka kërcënuar dhe ngacmuar ish-të dashurën duke i shkaktuar kësaj të fundit gjendje ankthi dhe frike për sigurinë e jetës vetjake,-tha gjykata. Këto kërcënime dhe ngacmime janë realizuar si gjatë takimeve të përbashkëta të tyre, si dhe nëpërmjet mesazheve të dërguara në numrin telefonik celular.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se nëpërmjet procesverbalit të këqyrjes së aparatit telefonik të ish-të dashurës së Doçit, Doçi i ka dërguar shtetases Ornela Memlika mesazhe me datë 25.01.2013 si dhe me datë 03.02.2013. Vetëm me datë 03.02.2013, ai, duke filluar nga ora 16:18 deri në ora 22:03,i ka dërguar gjithësej 37 (tridhjetë e shtatë) mesazhe. Përmbajtja e këtyre mesazhe me fjalë ofenduese, fluksi i madh i këtyre mesazheve, i kanë krijuar një gjendje pasigurie për jetën, shtetases O.M, e cila me datë 04.02.2013 ka paraqitur dhe kallëzim përkatës,- thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjatë seancave gjyqësore Doçi e pranoi akuzën dhe fajësinë dhe pretendoi se me të dëmtuarën janë rregulluar marrëdhëniet dhe se prej saj nuk kishte më ankim për të. Kështu që organi i drejtësisë dha pak ditë më parë një dënim me 8 (tetë) muaj burg për 29-vjeçarin për veprën penale të Përndjekjes.