Kërcënonte se do vriste gruan dhe fëmijën 7 vjeç, arrestohet

Një person është arrestuar në fshatin Qesorat Tepelenës pasi akuzohet për kërcënim dhe për armëmbajtje pa leje.
Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Agron Shema pasi kërcënonte se do të vriste gruan dhe fëmijën e tij 7 vjeç.
Mësohet se Shema prej disa kohësh ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj gruas së tij dhe për këtë gjë, kjo e fundit është larguar nga banesa së bashku me fëmijën e saj 7 vjeç.
Pas njoftimit të policisë forca të shumta kanë shkuar në vendngjarje. Në banesën e Agron Shemas, gjatë këtyre ditëve kanë shkuar nëna dhe vëllai i tij për ta qetësuar dhe bindur, por ai në gjendje depresive, ka kërcënuar edhe nënën dhe vëllain se do t`i vriste po të mos largoheshin. Po ashtu, Shema ka kërcënuar dhe forcat e policisë se do t`i vriste po t`i afroheshin banesës së tij.
Në këtë situatë, banesa është mbajtur e rrethuar nga ana e policisë dhe në mëngjesin e sotëm, forcat e policisë i kanë bërë thirrje atij të dorëzohej. Kërcënimi nga ana e Shemes ka vazhduar sërish ndaj forcave të policisë. Në këtë moment, dy punonjës policie kanë hyrë nga pjesa e pasme në banesë dhe e kanë arrestuar Shemen, duke neutralizuar dhe përdorimin e armës.
Atij ju sekuestrua një automatik mbi krevatin që flinte së bashkë me një karikatorë me 30 fishekë. Nga kontrolli i ushtruar më tej në banesën e tij, rezultoi se në tavanin e shtëpisë u gjet edhe një armë tjetër kallashnikov me 5 kërhëra fishekë me 115 fishekë. Po ashtu në banesë u gjet edhe një armë gjahu të cilën e mbante me leje .
Policia njofton se bashkëshortja e shtetasi Agron Shema së bashku me fëmijën e saj u rikthyen në banesë pas arrestimit në flagrancë të tij nga policia.