E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmet i ri në veri të Italisë, raportohen viktima dhe shëmbje ndërtesash

Itali- Një tërmet i ri ka goditur rajonin Emilia në Italinë Veriore duke lënë të vdekur të paktën tre persona dhe duke lënë nën rrënoja disa të tjerë.

Siç raportojnë mediat italiane lëkundjet e së martës vlerësohen 5.8 të shkallës rihter dhe kanë goditur të njëtën zonë ku 10 ditë më parë mbetën të vrarë 7 persona dhe u shkatërruan shumë ndërtesa.

Raportohet se dy persona u vranë nga tërmeti i ri në San Felice dhe një në Mirandola. Ndërkohë ekipet e shpëtimit po bëjnë përpjekje për të arritur tek katër punëtorë të varrosur nën rrënoja në Mirandola, raporton Rai. Lëkundjet e sotme janë ndjerë fuqishëm në Milano dhe Bolonja. Mediat italiane raportojnë se disa ndërtesa të dëmtuara nga tërmeti i 20 Majit kanë rënë tashmë në Mirandola, Fiale Emilia, San felice dhe Cavezzo ku tërmeti arriti deri në 6 ballë.

Punëtorët e zyrave janë evakuuar në Bolonja dhe mësohet se evakuimi do të fillojë edhe në vende të tjera. Tërmeti goditi 40 km në veri të Bolonjës dhe 60 km në lindje të Parmës në një thellësi prej 9.6 km, raporton ‘Reuters’. Lëkundjet filluan në orën 09:03 me orën lokale italiane. Më 20 Maj tërmeti shkatërroi shumë ndërtesa të vjetra shekullore me vlera kulturore. Ishte më i rëndi që goditi Italinë që pas atij të vitit 2009 në L’Aquila që vrau rreth 300 persona.

Dorina Bilbili/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›