Kërkesa e PD-së, KQZ vendos të numërojë fletët e kontestuara

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur sot që të numërojë fletët e kontestuara të cilat gjenden në 26 kuti. Pas debateve të shumta, KQZ-ja ka vendosur me 4 vota pro dhe 3 kundra pro kërkesës së Partisë Demokratike për të vlerësuar 403 vota në 26 kuti votimi, të cilat duhet të japin rezultat.
Sipas kërkesës, bëhet e ditur për se nga 26 qendra për të cilat kërkohet të hapen kutitë, vetëm një pjesë e tyre kanë shënime specifike për fletët e kontestuara. Kështu, një pjesë e fletëve të votimit të kontestuara, pavarësisht se në favor të kujt kanë shkuar, janë vlerësuar si të tilla, për shkak se kryqi ose plusi përbri emrit të kandidatit ka dalë pak jashtë kuadratit të përcaktuar.
Një tjetër rast i evidentuar në librin e protokollit të mbledhjeve nga anëtarët e grupeve të numërimit dhe anëtarët e komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve, është kur në kuadratin përbri emrit të kandidatit në vend që të shënoheshin dy shenjat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, është shënuara fjala “Po” ose nuk janë shënuar shenjat x ose +, por një vizë në të gjithë kuadratin.
Nga 403 fletë votimi që kërkojnë demokratët të rivlerësohen dhe rinumërohen, 2 prej tyre janë në Njësinë Bashkiake Nr. 3, 73 fletë votimi në Njësinë Bashkiake Nr. 5, 190 fletë në Njësinë Nr. 8 dhe 138 fletë në Njësinë Bashkiake Nr. 9.