Kërkesa e prokurorisë: Nazime Visha të dënohet me 17 vite burg për vrasje
Pretenca
Tominaj: Adoleshentja është autore krimi, por jo kriminele
Ajo ishte rritur në kushte të vështira ekonomike, ku edhe vizita në Tiranë quhej luks, me dëshira të shumta dhe me mundësi realizimi tepër të pakta
Prokurori - Ai ka gjetur vetëm vajzën e vogël Nazime, në atë kohë rreth 14 vjeç, dhe i ka kërkuar të kryejë marrëdhënie seksuale. Me gjithë kundërshtimin e kësaj të fundit, siç pretendon vetë ajo, ai e ka realizuar qëllimin e tij
Prokuroria ka kërkuar dënimin me 17 vjet burg të Nazime Vishës, vajzës 18-vjeçare nga Burreli, e cila vrau një burrë me të cilin kishte lidhje intime dhe që, sipas saj, kishte abuzuar seksualisht me të që në moshën 14-vjeçare.
Në kohën e kryerjes së krimit, vajza sapo kishte kaluar moshën 18 vjeçe. Ajo ishte rritur në kushte të vështira ekonomike, ku edhe vizita në Tiranë quhej luks, me dëshira të shumta dhe me mundësi realizimi tepër të pakta. E ndodhur në këto kushte, kur ajo ishte vetëm fëmijë, ka takuar dikë që ka treguar interes për të. Një ditë, pavarësisht dëshirës apo jo të vajzës, ai ka abuzuar me të në mënyrën më të ulët, duke shkelur çdo normë ligjore, morale dhe pse jo edhe njerëzore. Që në momentin kur viktima ka nisur joshjet dhe më pas kur ata janë bashkuar seksualisht, jeta e kësaj të fundit ka hyrë në një vorbull të rrezikshme, pasi e pandehura ka qenë tërësisht e pandërgjegjshme për atë çfarë po bënte dhe gjithashtu edhe për pasojat e një raporti të tillë absurd dhe pa të ardhme, tha prokurori i çështjes, Blerim Tominaj.
Prokurori, në këtë mënyrë, duke u përpjekur të bashkojë kornizat ligjore me rrethanat familjare dhe psikologjike të 18-vjeçares Nazime Visha, deklaroi pretencën për vrasjen e 45-vjeçarit Fiqiri Muça. Prokurori tha se vërtet adoleshentja është autore e krimit me paramendim, por nuk është një kriminele, pasi ajo është abuzuar fillimisht nga i ndjeri.
Ai e ka gjetur vetëm vajzën e vogël Nazime, në atë kohë rreth 14 vjeç dhe i ka kërkuar të kryejë marrëdhënie seksuale. Me gjithë kundërshtimin e kësaj të fundit, siç pretendon vetë ajo, ai ka realizuar qëllimin e tij, gjë të cilën ka vazhduar ta bëjë thuajse në të gjitha rastet, kur ai ishte mysafir dhe rastësisht babai i saj nuk ndodhej aty, thotë prokurori.
Më tej shtoi se pas kësaj, historia ka vijuar me dëshirën e të dyve, përfshi edhe largimin e Nazime Vishës, në kohën kur ishte e fejuar, por edhe rikthimin e 45-vjeçarit për ta marrë nga shtëpia e gjyshërve në Kërrabë. Prokuroria kërkoi dënimin e Nazime Vishes me 17 vjet burg, ku nuk përjashtohet edhe ulja e një të tretës së dënimit, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Vajza e kreu krimin, tha prokurori, me qetësi të plotë, pasi pa që njeriu i cili kishte moshën e të atit, i kishte shkatërruar jetën. Në këto kushte, gjykoj se analiza e ngjarjes, shkaqeve, faktorët me të cilët shkon në tragjedi, duke nënkuptuar këtu jo vetëm viktimat, por edhe të pandehurën, meritojnë trajtim tërësisht të veçantë, jo thjesht si ngjarje kriminale me një autor dhe një viktimë, pasi ajo është tashmë tërësisht e qartë dhe pa ekuivok, por si një fenomen, i cili i pranuar apo ajo, i hapur apo i fshehur, në këto formë apo në forma të tjera më të kamufluara, edhe për shkak të shkallës së intelektualitetit të protagonistëve të saj, është prezent edhe në ambiente të tjera, tha Tominaj. Për TCH, avokatja e të pandehurës e konsideroi pretencën mjaft të ashpër, ndërsa hodhi poshtë në mënyrë kategorike se sms-të e gjetura në telefonin e viktimës të jenë shkruar nga Nazimja, për shkak edhe të dialektit.
Kërkesa e prokurorisë: Nazime Visha të dënohet me 17 vite burg për vrasje burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email