Gjinushi: Sistemi mazhoritar vdiq i virgjër
Intervista/ Kreu socialdemokrat vlerëson se dalja e LSI-së më vete në zgjedhjet e 2009 nuk është fatalitet për opozitën
Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, i njohur për llogaritë e sakta politike, në një intervistë për gazetën bën dhe parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke u shprehur i sigurt në fitoren e së majtës, pavarësisht me një rezultat që nuk krijon mundësi për dominancë të plotë.
Z.Gjinushi, sa do e dëmtojë fragmentarizmi aktual opozitën të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Nisur nga përvoja negative e vitit 2005 i gjithë opinioni i majtë ngreh shqetësimin, a do të ndodhi e njëjta gjë në vitin 2009. Kjo ishte arsyeja edhe pse ne kërkuam me forcë një bashkim të së majtës në zgjedhjet e 2007, pasi aty ishte me i mundshëm rreziku për t’u penalizuar nga një fragmentarizim i tillë, kjo për shkak se fiton kandidati që merr më shumë vota. Por pavarësisht përvojave të mëparshme, ende ne nuk shohim një vullnet të plotë për të sanksionuar një bashkim përfundimtar. PSD i ka mëshuar kësaj teze për shkak të presionit të elektoratit të majtë, por edhe për t’i kthyer një haraç votuesve të majtë që padrejtësisht ndodhen në opozitë. Megjithatë, në këtë situatë, duhet theksuar se ka dy argumente që garantojnë fitoren e së majtës në vitin 2009, pavarësisht se si do të eci bashkëpunimi i saj deri atëherë. E para, është se vetë e djathta është më e copëzuar se ne dhe ajo që shohim tani është thjesht një bashkim interesash, sa edhe Xhuveli quhet i djathtë. Pra aty s’ka asnjë parim dhe asnjë program. Kjo përçarje shihet tashmë shumë mirë brenda vetë PD-së, por edhe tek marrëdhëniet mes saj dhe aleatëve, kryesisht me PR-në dhe PDK-në.
Opozita shpreson vetëm tek përçarja e së djathtës për të arritur fitoren në 2009?
Jo. Më lart, thashë se janë dy faktorë. Përveç përçarjes së të djathtës, është edhe faktori i ndryshimit të sistemit. Jo se sistemi kushtetues që kishim ishte i keq. Përkundrazi është më i mirë sesa sistemi spanjoll, por sistemi mazhoritar nuk u përdor asnjëherë, pra, ai vdiq i virgjër si sistem, i papërdorur. Ndërsa sistemi spanjoll i miratuar tashmë në Kushtetutë nuk e ka më aspektin mazhoritar që kishte sistemi i “Dushkut”. Meqë është një sistem proporcional, ky lloj sistemi bën që edhe në rastet e ndarjeve në paraqitjet zgjedhore mes aleatëve, përsëri vota bashkohet ose vendet bashkohen pas fitores.
Kjo edhe në rast se kundërshtari del në koalicion?
Po, edhe në rast se kundërshtari del në koalicion. Megjithatë nuk duhet mohuar që ai që hyn i bashkuar është më i optimizuar, por ndarja nuk jep efekte negative të krahasueshme që mund të jepte në rastin e sistemit mazhoritar. “Kashari” është një shembull i qartë për të bërë këtë krahasim. Kështu, për kryetarin, ku vlen vota mazhoritare, PD fitoi lehtësisht për shkak të ndarjes së të majtës. Ndërsa po të flitej për Këshillin Komunal, ku shërben vota proporcionale, e majta do të kishte një shumicë dominuese pasi arriti të marrë më shumë se 60 për qind të votave. Pra, sistemi proporcional sjell një dëm më të vogël edhe në rast se hyn më vete, sesa një gjë e tillë të ndodhte në mazhoritar. Pra, në mazhoritar ndarja është fatalitet, ndërsa në proporcional ndikon por varet nga përqindjet dhe rezultati konkret.
Pavarësisht masës së dëmit, para këtyre zgjedhjeve, do të tentojë opozita një bashkim?
Ajo që thashë më sipër është e përgjithshmja, pasi ndarja në tre apo katër pjesë e një spektri të caktuar politik natyrisht që dëmton. Por nëse tashmë është kuptuar qartë se LSI do të paraqitet e vetme, në kuptimin që nuk do të bashkëpunojë me PS-në, kjo nuk do të sjellë ndonjë pasojë të rëndë në rast se PS dhe partitë e tjera, veçanërisht me PSD-në dhe me ndonjë tjetër, duke marrë votat e veta të bashkuara, përsëri të realizojnë një bashkëpunim të suksesshëm. Pra, është e nevojshme që Kodi Zgjedhor të lejojë koalicione, ku partitë të votohen secila për siglën e vet dhe votat e partive përbërëse të përbëjnë dhe votën e koalicionit. Kjo i duhet dhe PD-së në çdo rast.
Pra, sipas jush një koalicion PS-PSD, plus ndonjë forcë tjetër e së majtës, do të ishte i mjaftueshëm për të përballuar një koalicion të së djathtës?
PD-së i duhet në çdo rast që të zërë vendin e parë si grupim dhe kjo jo për të fituar por për të minimizuar humbjen. Kjo formë lejon bashkëpunimin dhe bën që gjithkush nga ne të mendojë për bashkëpunime rajonale. Rëndësi ka se me këtë i hapet rruga demokratike që edhe partitë të masin forcat e veta, por edhe mundëson që grupimi më i fuqishëm të dijë të optimizojë rezultatin e vet. Pra të mos ndodhë që dikush të fitojë duke humbur votën popullore si në 2005.
Sa të rëndësishëm e vlerësoni rolin e LSI-së në një situatë të tillë?
LSI më vete nuk është fatalitet. Madje nuk është për t’u fshehur fakti se është preferuar që të kemi një sistem me bazë proporcionale pikërisht për të treguar forcën e çdo partie, si dhe për të kufizuar dëmin që mund të sillte një qëndrim refraktar nga ndonjë forcë politike e së majtës. Pra, thënë me troç u preferua një sistem spanjoll proporcional, pasi dihej që nuk gjendej gjuha për të hyrë së bashkë në zgjedhje me LSI-në. Prandaj, dua të them se llogaria me LSI-në më vete është bërë para se të miratohej ky lloj sistemi.
Po pas zgjedhjeve, do të ishte i domosdoshëm një bashkëpunim me LSI-në?
Duhet thënë se proporcionali nuk detyron aleancat parazgjedhore, por bën të nevojshme ato paszgjedhore. Në sistemin proporcional, partitë e mëdha kërkojnë pas zgjedhjeve bashkëpunim me partitë e vogla, për të plotësuar numrin 71 të deputetëve për të qeverisur. Megjithatë, kjo do të përcaktohet nga taktika zgjedhore dhe rezultati. Pas kësaj do të përcaktohen edhe se kush do të jenë aleatët për të bashkëqeverisur. Pastaj, çështja pas zgjedhjeve nuk është thjesht a do ftohet LSI apo ndonjë forcë tjetër, kjo pasi do të ketë shumë forca që do të kërkojnë të hyjnë në qeveri, madje tashmë është bërë traditë që edhe ata që hyjnë si kundërshtarë pas zgjedhjeve t’i turren qeverisë së re, prandaj radha është e madhe dhe nuk do të jetë problem për të gjetur aleat për qeverisje.
Për sistemin
“Thënë me troç u preferua një sistem spanjoll proporcional, pasi dihej që nuk gjendej gjuha për të hyrë së bashku në zgjedhje me LSI-në. Prandaj, dua të them se llogaria me LSI-në më vete është bërë para se të miratohej ky lloj sistemi”.
Për LSI-në
“Çështja pas zgjedhjeve nuk është thjesht a do ftohet LSI apo ndonjë forcë tjetër, kjo pasi do të ketë shumë forca që do të kërkojnë të hyjnë në qeveri, madje tashmë është bërë traditë që edhe ata që hyjnë si kundërshtarë pas zgjedhjeve t’i turren qeverisë së re, prandaj radha është e madhe dhe nuk do të jetë problem për të gjetur aleat për qeverisje”.
Për PD-në
“PD-së i duhet në çdo rast që të zërë vendin e parë si grupim dhe kjo jo për të fituar por për të minimizuar humbjen. Kjo formë lejon bashkëpunimin dhe bën që gjithkush nga ne të mendojë për bashkëpunime rajonale. Rëndësi ka se me këtë i hapet rruga demokratike që edhe partitë të masin forcat e veta, por edhe mundëson që grupimi më i fuqishëm të dijë të optimizojë rezultatin e vet. Pra, të mos ndodhë që dikush të fitojë duke humbur votën popullore si në 2005”.