E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa nga grupi socialist në këtë forum

26/01/2010  Asambleja e KE “ngrin” delegacionin shqiptar
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka ngrirë kredencialet e delegacionit shqiptar në Këshill. Mësohet se me kërkesë të grupit të socialist në Asamble ka nisur procedura e ngrirjes së kredencialeve të përfaqësuesve të Parlamentit shqiptar. Grupi socialist i Asamblesë ka kërkuar ngrirjen e kredencialeve duke nxjerrë pretendimin se është cenuar Rregullorja e Këshillit të Evropës për mënyrën e përfaqësimit të Shqipërisë. Pra Shqipëria mund të ketë të drejtë përfaqësimi, të drejtë diskutimi por s’mund të ketë të drejtë vote. Ky vendim vjen në një moment kur nga ana e Asmbalesë Parlamentare të KE-së, do të votohet të enjten një rezolutë ku dënohet bojkoti i opozitës shqiptare. Duhet theksuar se delegacioni i Parlamentit shqiptar përbëhet nga deputeti demokrat Ilir Rusmali, që mban dhe postin e kreut të delegacionit, deputetja demokrate Lajla Përnaska dhe nga deputeti Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë Drejtësi dhe Integrim, ndërkohë që deputeti socialist Kastriot Islami refuzoi të merrte pjesë në delegacion, duke argumentuar se ai nuk ka bërë betimin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në delegacion mungon përfaqësuesi i Partisë Socialiste. Në seancën plenare të ditës së djeshme, atë të hapjes së punimeve të Asamblesë, është marrë vendimi për të sfiduar delegacionin e Parlamentit shqiptar. Në terminologjinë politike të përdorur nga APKE-ja do të thotë që delegacioni i Parlamentit shqiptar në Këshillin e Evropës futet në një fazë transitore, gjatë së cilës delegacioni shqiptar do të ketë të drejtën të marrë pjesë në punimet e Asamblesë, do të ketë të drejtën të shprehë mendimet dhe të votojë për çështjet që do të trajtohen, por jo për çështje që i përkasin Shqipërisë. Kërkesa për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit shqiptar vjen tri ditë para se në Asamblenë Parlamentare të KE-së të paraqitet e më pas të diskutohet raporti dhe projektrezoluta e përgatitur nga raporterët: finlandezi Jaakko Laakso dhe britaniku David Wilshire. Dy raporterët në projektrezolutë shpreheshin se “Asamblesë i vjen keq që ky bojkot (i Parlamentit nga PS-ja) ka dëmtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë”. Pikërisht ky paragraf linde të kuptohej se në fillim të punimeve të Asamblesë do të kishte një reagim. Ngrirja e kredencialeve të delegacionit shqiptar ndodh për herë të dytë.
PD fajëson socialistët
Partia Demokratike ka fajësuar lidershipin e Partisë Socialiste për vendimin e marrë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për ngrirjen e kredencialeve të delegacionit të Parlamentit shqiptar. Zyrtarë të PD-së janë shprehur se bojkoti që socialistët po i bëjnë Parlamentit solli këtë rezultat të pakëndshëm në raport me marrëdhëniet me KE-në. Demokratët akuzojnë PS-në se përmes vendimeve të tilla po cenohet procesi i rëndësishëm dhe jetik i integrimit në Bashkimin Evropian. Mungesa e opozitës në Parlament, sipas PD-së, vjen vetëm për shkak të interesave personale të kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe të shpurës që e rrethon atë. PD-ja thotë se ajo është e hapur për dialog me opozitën, por që ky dialog të zhvillohet mbi baza institucionale. Megjithatë, PD-ja nënvizon se mazhoranca parlamentare do të vazhdojë me reformat e rëndësishme në funksion të procesit të integrimit evropian të vendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›