Prangoset “liberalizuesi” i vizave kanadeze
26/01/2010 Shpëtim Baliaj është dënuar me 3 vjet heqje lirie për “Mashtrim”
U mori 30 mijë dollarë dy shtetasve për t’i nxjerrë vizë
TIRANE- Policia e Tiranës ka vënë pas hekurave një shtetas të shpallur në kërkim, i cili ishte dënuar nga gjykata me 3 vite burg për veprën penale të “Mashtrimit”. Personi i arrestuar quhet Shpëtim Baliaj, 45 vjeç, nga Tropoja, por banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera nga specialistët e Krimit-Financiar rezulton se në muajin tetor të vitit 2004 shtetasi Musa Ismaili, me banim në Shijak, është takuar me anë të një të njohuri të tij, me shtetasin e arrestuar Shpëtim Baliaj. Në bisedë e sipër Ismaili i ka thënë se kishte dëshirë të dërgonte në Kanada tek djali dy vajzat e tij, të quajtura Adelina Ismaili dhe Arjana Ismaili. Për të kryer këtë nder 45-vjeçari Baliaj, i ka kërkuar një shumë financiare prej rreth 15 mije dollarë për secilën nga vajzat. Musa Ismaili i ka kërkuar se këtë vendim do e merrte, pasi të bisedonte me djalin e tij që ndodhet në Kanada. Fill pas telefonatës me të, Ismaili i ka dhënë 30 mijë dollarë shtetasit të arrestuar Shpëtim Baliaj, i cili nisi përpjekjet për të siguruar dokumentacion. Baliaj së bashku me vajzat kanë shkuar në Maqedoni, por duke mos arritur qëllimin për gjetjen e vizës, janë rikthyer sërish në Shqipëri. Duke qenë se i arrestuari nuk ka siguruar dot vizat, i ka kthyer në shtëpi të tyre vajzat, duke ju thënë se do t’i njoftonte vetë kur të siguronte vizat. Mirëpo ditët kalonin dhe në adresë të tyre nuk vinte asnjë përgjigje, çka bëri që Musa Ismaili të dyshonte mbi rolin e të arrestuarit Shpëtim Baliaj. Së bashku me vajzat ai më 5 korrik të 2005-s ka kryer një denoncim në Prokurorinë e Tiranës. Mbas fillimit të ndjekjes penale 45-vjeçari Baliaj nëpërmjet të afërmve të tij, ia ka kthyer shumën e parave, por nuk i është dorëzuar forcave të policisë. Organi i akuzës vazhdoi hetimet dhe çështjen në ngarkim të tij e dërgoi për gjykim në gjykatën e Tiranës. Nga studimi i të dhënave kjo e fundit e ka dënuar shtetasin e arrestuar me 3 vjet burg, pasi ndaj Shpëtim Baliaj u krye bashkim dënimesh. Aktualisht i sipërcituari është izoluar në ambientet e burgut, ku dhe do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.