“Tinguj për solidaritetin”, 1. 500. 000 lekë për të përmbyturit në Shkodër
26/01/2010 “Tinguj për solidaritetin”, kështu e kanë quajtur mbrëmjen muzikore me ariet dhe duetet më të njohura botërore, të mbajtur në mbështetje të familjeve të përmbytura në zonën e Shkodrës. Nën interpretimin e solistëve lirikë Ylber Gjini, Marjana Leka, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Sidrit Bejleri, Vikena Kamenica, Sonila Baboçi, Manjola Konjari, Dorina Selimaj, Eriona Gjyzeli, Shpresa Beka, Armando Likaj, Emiljana Palushaj dhe të Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e mjeshtrit Gianluca Martinenghi gjatë kësaj mbrëmjeje u mundën të grumbullohen 1.500.000 lekë, të cilat shkuan në mbështetje të të prekurve nga përmbytjet . “Ngjarjet e jetës, sido qofshin ato, ngacmojnë ndjeshmërinë njerëzore dhe ndryshimin e atyre që me art dhurojnë ndjeshmëri. Kjo është kurdoherë e vlerësuar dhe dobiprurëse. Të mbështesim familjet në zonat e përmbytura, të jemi të bashkuar për të përballuar situatën e pazakontë, të jemi të gjithë pjesë aktive e shoqërisë sonë, e vlerave më pozitive të saj”. Ky ka qenë dhe mesazhi që përcolli Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me fondacionin “Fëmijët shqiptarë”.