“Kërkesat e PS, pa baza ligjore, mazhoranca e gatshme për ngritjen e komisionit hetimor”
Deputetit Gazmend Oketa
Në vijim të punimeve të seancës maratonë të Kuvendit të Shqipërisë, mazhoranca mbrojti qëndrimin e saj, për transparencën e zgjedhjeve, përmes ngritjes së komisionit hetimor. Deputeti demokrat, Gazmend Oketa, tha se mazhoranca është gati për ngritjen e komisionit hetimor për zgjidhjen e ngërçit politik.
“Duhet të vërtetoni se jeni për transparencën e zgjedhjeve duke rëndë dakord me ngritjen e komisionit hetimor”, theksoi ai.
Deputeti Gazmend Oketa duke vlerësuar diskutimin në Parlament i bëri thirrje opozitës që të përqendrohet në relacionin e sjellë në Kuvend nga Komisioni i Ligjeve për të diskutuar realisht mbi hetimin e zgjedhjeve.
“Unë do të dëshiroja të përshëndesja faktin tepër pozitiv se tashmë vendi ka një pozitë reale, diskutimi po zhvillohet në këtë sallë që nga dita e djeshme edhe pse deputetët të opozitës kalojnë në terma të tjera. është një zhvillim pozitiv pavarësisht se në këtë pikë duhet të ishim 7 muaj më parë”, u shpreh Oketa.
Oketa theksoi se kërkesat e PS janë të pabaza.
“Kërkesa e PS vjen nga mosbesimi që zoti Rama ka ndaj vëzhuesve vendorë e ndërkombëtarë që monitoruan situatën”.
Duke iu referuar shprehje së deputetit socialist, Majko një ditë më parë në parlament se “mazhoranca bën gol me dorë si Maradona”, Oketa tha se “Zoti Majko, mazhoranca i dha opozitës shqiptare të gjitha mundësitë, ishit ju që caktuat çdo gjë në lojën e zgjedhjeve, hapësirat e portës, përmasat e topit, por nuk është faji i mazhorancës se lojtari juaj kryesor donte të bënte gol nga tribuna”.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryerepublikani Fatmir Mediu, njëherazi edhe ministër i Mjedisit. Mediu deklaroi se OSBE-ODIHR, PE-ja dhe SHBA-ja vlerësuan zgjedhjet.
Ai deklaroi se ndërkombëtarët ofruan zgjidhje, e cila mund të jetë vetëm kushtetuese.
...