E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule - Berishës: Propozimi për heqjen e vizave, brenda muajit prill

Deklarata e Fules para nisjes së takimeve: "Bojkoti cenon rëndë demokracinë, zgjidhja e ngërçit vetëm sipas Kushtetutës"


“Një parlament thellësisht funksional është thelbësor për një funksionim të plotë të demokracisë. Nëse ngërçi politik vazhdon, kjo me të vërtetë mund ta pengojë Shqipërinë në arritjen e standardeve politike të pritshme nga një vend që ka aplikuar për anëtarësim në BE. Parlamenti është vendi për dialog dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian. Rruga në vazhdim duhet të udhëhiqet nga dy parime themelore demokratike: respekti për Kushtetutën dhe transparenca. Në interes të vendit të tyre dhe të perspektivës së integrimit evropian, liderët politikë të Shqipërisë duhet të përballen tani me këtë sfidë në mënyrë konstruktive dhe në frymën e Bashkimit Evropian”. Kjo është deklarata për shtyp e Komisionerit për Zgjerimin të Bashkimi Evropian, Stefan Fule, përpara mbërritjes në Tiranë. Fule apelon se bojkoti është duke cenuar demokracinë ndërsa sugjeron zgjidhje të situatës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Sipas tij, është qartësisht se njohur se nëse nuk tejkalohet situata, do të ketë pasoja për proceset e integrimit të Shqipërisë.


Vizita/Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule ka mbërritur në Shqipëri, ku është pritur fillimisht nga ambasadori i KE-së Helmut Lohan dhe pas takimit të zhvilluar me Presidentin e Republikës, në këto momente është pritur në ambientet e kryeministrisë nga kryeministri Sali Berisha. Në deklaratën e tij për mediat para takimeve me krerët më të lartë të shtetit komisioneri për zgjerim Stefan Fule ka theksuar se nëse ngërçi politik vazhdon atëherë do të ketë pengesa për arritjen e standardeve. Ai shtoi gjithashtu se një parlament funksional është thelbësore për demokracinë e një shteti duke theksuar se dialogu politik bëhet në Parlament. “Bojkotet parlamentare nuk kanë vend në politikën demokratike në mënyrën se si zbatohet në Bashkimin Evropian”, shprehet Fule.


Fule Berishës: Jeni në rrugën e duhur për heqjen e vizave


Në lidhje me liberalizimin e vizave të Shqipërisë nga Bashkimi Evropian, Shqipëria ka bërë shumë përparim kohët e fundit për të përmbushur kushtet dhe qeveria që e drejton atë aktualisht, ka lëvizur në drejtimin e duhur. Një fakt të tillë, kryeministrit Berisha ia ka komunikuar publikisht gjatë një konference për shtyp, vetë komisioneri evropian për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë, Stefan Fule, i cili gjendet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Sipas Fules, “fakti që ju i keni plotësuar të gjitha pyetjet e Pyetësorit flet për arritjet tuaja, pasi nuk është në fakt aspak detyrë e lehtë”. “E vlerësoj angazhimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij për një luftë me tolerancë zero kundër krimit dhe korrupsionit”, tha më tej ai. Ndërsa kryeministri Berisha ka deklaruar në prani të komisionerit evropian se “pala jonë është e gatshme të firmosë me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian të gjitha marrëveshjet e nevojshme për parandalimin e krimit të organizuar dhe trafiqeve”. “Ndërsa sa i përket çështjes së ngërçit politik, u shpreha dakord me deklaratën e Fules se zgjidhja duhet të vijë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe transparencës”, ka thënë më pas Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›