E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat e Zbogarit

Përfaqësuesi i BE’së, Samuel Zbogar kërkoi nga autoritetet e Kosovës që të punojnë në forcimin e sundimit të ligjit, derisa premtoi ndihmë në gjetjen e një zgjidhjeje për veriun e vendit. Kryeministri Thaçi, pas takimit me sllovenin, mohoi mundësinë e statusit special për pjesën veriore.

Ka vetëm pak kohë që ka mbërritur në Kosovë, por nuk ka hezituar t’i shpalosë kërkesat e europianëve për autoritetet kosovare.

Sundimi i ligjit dhe zgjidhja e problemit në veri ishin kërkesat kryesore të cilat përfaqësuesi special i Bashkimit Europian, Samuel Zbogar i adresoi të martën para udhëheqësve shtetërorë.

Ndërkohë që promovoi gatishmërinë e BE’se për të ndihmuar Kosovën në rrugën evropiane.

“Siç e dini unë jam në dy kapacitete; përfaqësues special i BE’së dhe shef i Zyrës së saj. Qëllimi i kësaj ka qenë për të pasur një prani më të dukshme, më të fortë, më koherente të BE’së këtu”, ka thënë Zbogar pas një takimi gati dy orësh me kreun e ekzekutivit Hashim Thaçi.

Në një konferencë për media, Zbogar foli edhe për rolin e tij dhe të misionit që do të udhëheqë.

“Ne besojmë se duhet të kemi prani të fortë të BE’së në Prishtinë. Misioni im është që të kemi një Europë të fortë këtu, në mënyrë që t’i ndihmojmë Kosovës të jetë më shumë europiane në mënyrë që t’i ndihmojmë Kosovës që të vijë në Europë”, ka thënë ai.

“Ky është misioni që unë do ta ndjek në vitet e ardhshme bashkë me Qeverinë për Kosovën”, shtoi Zbogar.

Ndërsa fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave ai e konsideroi si një hap shumë të rëndësishëm për Kosovën në rrugën e saj europiane.

“Mendoj se kemi filluar mirë këtë vit me fillimin e liberalizimit, do të shohim më shumë vizita të komisionarëve në Kosovë, do të shohim dialog më të intensifikuar për shumë çështje mes Kosovës dhe BE’së”, ka thënë i dërguari i BE’së.

Ai shfaqi bindjen se fundi i këtij viti do të jetë edhe më pozitiv për Kosovën.

“ Këtë vit dhe shpresoj se në fund të vitit, kur Komisioni të përgatisë raportin, do të jetë më shumë pozitiv dhe ka shumë çështje që duhet t’i lëvizim përpara; nga çështja tregtare për dialogun e sundimit të ligjit, për liberalizimin e vizave dhe çështje tjera”, ka thënë Zbogar.

Për më tepër ka kërkuar bashkëpunim nga Qeveria e Kosovës për të arritur synimet e përbashkëta.

“Jam këtu për të parë dhe dëgjuar se cilat janë nevojat dhe aspiratat e Kosovës për t’i dhënë këshilla Brukselit dhe për të dalë me ide konkrete për Qeverinë e Kosovës në procesin e reformës për dialogun Prishtinë –Beograd dhe çështjen e veriut. Duam të jemi miq të Qeverisë në mënyrë që Kosova të ecë drejt së ardhmes dhe ajo është e ardhmja në BE”, është shprehur i dërguari i BE’së.

Gjatë takimit me të parën e shtetit, Atifete Jahjaga, ai kërkoi ekskluzivisht forcimin e sundimit të ligjit si dhe sistemit të drejtësisë.

Jahjaga, ndërkaq, theksoi domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrave që dalin nga Plani Ahtisaari dhe që bashkërisht të punohet në përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare për Kosovën.

“Institucionet e Kosovës do të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese dhe të marrin përgjegjësitë që do të ndihmonin mbylljen e suksesshme të Zyrës Civile Ndërkombëtare deri në fund të këtij viti”, ka thënë Jahjaga.

Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi, duke i uruar mirëseardhje përfaqësuesit të ri, u zotua në emër të ekzekutivit se do të përmbushë të gjitha obligimet për zbatimin e planit të Ahtisaarit për një Kosovë europiane.

Ai e falënderoi Samuel Zbogar’in për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, derisa i bëri të ditura temat e diskutimit gjatë takimit me të.

”Ne jemi pjesë e familjes europiane dhe që Kosova të bëhet europiane, ne duhet të vazhdojmë reformat e thella demokratike. Këto reforma nuk do të ndalen, vetëm sa do të rritet përgjegjësia edhe më tepër, e sidomos tash kur është hapur dialogu për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare me BE’në dhe procesi i shpejtë i anëtarësimit të Kosovës në Bankën për Zhvillim dhe Ndërtim Evropian”, ka thënë kreu i ekzekutivit.

Thaçi nuk hezitoi të përgjigjet në lidhje me paralajmërimin e serbëve të veriut për njohjen e pavarësisë së Kosovës në rast të dhënies së një statusi special për veriun.

”Mirëpres gatishmërinë për njohjen e Kosovës, natyrisht nga të gjithë, por Kosova është një, unike, shtet i pavarur dhe natyrisht, sovran. Nuk do të ketë trajtim të veçantë, special apo autonom për asnjë etni, për asnjë hapësirë të territorit të Kosovës”, ka thënë Kryeministri pas takimit me Samuel Zbogar.

Ndryshe, ish-ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar është emëruar në dhjetor të vitit të kaluar përfaqësuesi special i BE’së në Kosovë. Për këtë kishte marrë vendim Këshilli Europian.

Ish- kreu i diplomacisë sllovene në postin e ri në Kosovë u zotua të punojë për promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike, paqësore e shumetnike, duke kontribuar të njëjtën kohë edhe në stabilitetin e bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›