E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohej nga policia, vetëvritet me armë lazaratasi

Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës së të shtunës. 34 vjecari nga Lazarati, pasi ka konsumuar sasi të mëdha alkooli, është përfshirë nga një gjendje e thellë depresioni. Në tentativë për të shmangur tragjedinë, është plagosur dhe vëllai i viktimës 

GJIROKASTËR - Një 34-vjeçar nga fshati Lazarat i Gjirokastrës, i cili ishte shpallur në kërkim për veprën penale të "cenimit të lirisë së tjetrit", i ka dhënë fund jetës së tij duke u vetëvrarë me armë zjarri. Në tentativë për të shmangur tragjedinë, është plagosur dhe vëllai i viktimës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës së të shtunës. Mësohet se Adriatik Skënderi, pasi ka konsumuar sasi të mëdha alkooli, është përfshirë nga një gjendje e thellë depresioni. Pjesëtarë të familjes Skënderi janë përpjekur që ta qetësojnë 34-vjeçarin, por çdo gjë ka qenë e kotë. Në gjendje të dehur, Adriatiku ka marrë armën e zjarrit në duar dhe ka qëlluar mbi veten. Ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar urgjentisht për në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës. Në këtë spital ka përfunduar dhe djali tjetër i familjes Skënderi, i cili mbeti i plagosur gjatë tentativës për të shmangur vetëvrasjen e njeriut të tij më të afërt. Me gjithë ndihmën e parë mjekësore, Adriatik Skënderi nuk ka mundur t'i mbijetojë vdekjes. Ai ka dhënë shpirt në spital, ndërsa i vëllai i tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu, të cilët pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, deklaruan se 34-vjeçari u vetëvra si pasojë e përdorimit me shumicë të pijeve alkoolike dhe nga depresioni. Po të njëjtat burime pohojnë se viktima ishte shpallur në kërkim që në tetor të vitit të kaluar dhe se gjatë kësaj kohe ai kishte qëndruar i fshehur në banesën e tij.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›