E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet liberalizimi i vizave për studentët shqiptarë

15/03/2010 Sistemi i Bolonjës mbledh në tryezë krerët e arsimit të 46 shteteve

Zbatimi i sistemit do të shoqërohet me njohjen e diplomave ndërmjet vendeve

Përshtatja e studimeve të larta sipas procesit të Bolonjës ka mbledhur në një tryezë diskutimi krerët e arsimit të 46 shteteve të ndryshme, për të diskutuar në lidhje me masat që duhen marrë mbi përafrimin e kurrikulave studimore. Një ndër shqetësimet e ngritura për universitetet shqiptare ishte pamundësia e lëvizjes së lirë të studentëve drejt strukturave universitare evropiane. Për shkak të këtij problemi, që rëndon mbi cilësinë e universiteteve tona, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, u ka kërkuar strukturave ndërkombëtare që të shtojnë alternativat për lëvizjen e studentëve shqiptarë nëpërmjet liberalizimit të vizave, veçanërisht për këtë kategori. Ndërkohë që gjatë diskutimeve është rënë dakord për shpejtimin e afateve kohore në konvertimin e diplomave, në mënyrë që diplomat e fituara në universitetet që janë pjesë e këtij sistemi të njihen pa kaluar në proces konvertimi. “Mobiliteti i studentëve zhvillohet kryesisht në kuadër të programit ‘Tempus’ dhe ‘Erasmus Mundus’, por ai është i pamjaftueshëm. Regjimi i vizave është një pengesë nganjëherë serioze për mobilitetin e studentëve dhe pedagogëve. Ky është një argument më shumë për liberalizimin e vizave, aq më tepër që Shqipëria ka bërë një progres evident në përmbushjen e kritereve të kërkuara”, ka deklaruar ministri Tafaj gjatë takimit dyditor të mbajtur në Budapest dhe Vjenë, ku 46 ministrat e Arsimit të vendeve që aderojnë në Procesin e Bolonjës, kanë diskutuar mbi përparësitë e këtij procesi. Gjithashtu, ministri Tafaj ka prezantuar edhe ndryshimet e zhvilluara në sistemin arsimor publik në vendin tonë, duke vënë theksin se në këto vite është rritur ndjeshëm numri i studentëve, është zgjeruar arsimi privat cilësor, janë shpallur strategji afatgjata për rritjen e investimit total, publik dhe privat, është shtrirë internet në çdo shkollë e universitet e janë hartuar strategjitë e arsimit të lartë e kërkimit shkencor, teknologjisë e inovacionit sipas tendencave evropiane. Ndryshime këto që janë vlerësuar se kanë sjellë reformimin e kurrikulës dhe strukturës së studimeve të arsimit të lartë, në përputhje me parimet e Procesit të Bolonjës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›