E Diel, 1 Nëntor 2026

Atmosfera festive dhe ballokumet pushtojnë kryeqytetin

15/03/2010 Festa e Ditës së Verës

Kryeqytetit feston për të gjashtin vit radhazi me sheshet e mbushura nga admiruesit e organizimeve festive ardhjen e stinës së ngrohtë, që simbolizohet nga Dita e Verës.

Aktivitetet e shumta të organizuara nga Bashkia e Tiranës i kanë dhënë një tjetër pamje kryeqytetit, duke e shndërruar atë në një panair të madh shumëngjyrësh të dominuar nga ëmbëlsira tradicionale e festës, ballokumja. Festimet kanë nisur rreth orës 10.00 në sheshin "Skënderbej", ku këngët dhe vallet e ansamblit "Tirana" kanë çelur siparin. Akrobatët dhe klounët e Cirkut të Tiranës kanë argëtuar me lojëra të shumta fëmijët e mbledhur në shesh. Më pas, Banda e qytetit rrugëtoi përgjatë gjithë bulevardit kryesor, duke luajtur muzikën tradicionale. Në zonën afër Piramidës, Teatri i Fëmijëve të Metropolit ka dhënë për të pranishmit shfaqjen “Në ballon e luleve”, ndërsa në sheshin “Skënderbej” janë vendosur gatimet tradicionale të gatuara nga amvisat, të cilat u kanë ofruar larmi të shumta ushqimesh vizitorëve, ku pa dyshim vendin kryesor e zinte ëmbëlsira simbol e festës, ballokumja. Galeria e Arteve ishte sheshi ku performuan një grup prej 50 instrumentistësh, nën tingujt e muzikës klasike. Një repertor shumë i zgjedhur që nga Bethoveni e Vagneri, me sonata dhe pjesë të mrekullueshme nga muzika klasike. Gjatë orëve të pasdites, në bashkëpunim me ambasadat është zhvilluar "Rock the Block", koncert i rrokut live, performuar nga artistë të ndryshëm. Festimet kanë vijuar me dy koncertet gjigante të zhvilluara në sheshin "Nënë Tereza" dhe tek ura e Bllokut. Për herë të parë i janë ofruar publikut tendencat e fundit të modeleve dhe stilimeve të flokëve, të performuara live nga shkolla të ndryshme parukerie, nën drejtimin e Ardi Borovës. Në 10 poste të ndryshme pune, parukierët kanë zbukuruar zonjat por dhe zotërinjtë, të rinj e të reja që kanë dashur të këtë eksperiencë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›