Kërkohet ndjekje penale për Harasanin

Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur zyrtarisht në Kuvend kërkesën për autorizimin për ndjekje penale të deputetit të Partisë Socialiste, Andis Harasani. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mbyllje të seancës së sotme plenare informoi deputetët mbi këtë kërkesë të organit të akuzës, të paraqitur së fundi në Kuvend. Kërkesa vjen pas incidentit të ndodhur rreth dy muaj më parë (11 shtator) nga deputetët socialistë, Andis Harasani e Ndriçim Hysa, të cilët tentuan të fusin në ambjentet e parlamentit, sende të ndaluara me rregullore. Veprimi i tyre u parandalua nga punonjësit e Gardës së Republikës, ndaj të cilëve deputeti Harasani përdori tone ofendues dhe gjeste të dhunshme. Për këtë incident punonjësit e Gardës në Kuvend bënë kallëzim penal ndaj deputetit socialist. Ndërsa deputeti i PS-së Andis Harasani është shprehur për "Ora News" se akuzat e ngritura ndaj tij nuk janë gjë tjetër veçse akuza qesharake të formuluara nga Kryetarja e Kuvendit Topalli