E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohet nga Kryetari i Prizrenit që t’i shlyej borxhet

As në vitin 2012 Komuna e Prizrenit nuk ka arritur të pastrohet nga borxhet e grumbulluara shuma e të cilave arrin në rreth një milion euro. Përfaqësuesit e OJQ-së “Ec ma ndryshe” që monitorojnë punën e ekzekutivit dhe legjislativit komunal shprehin shqetësimin e tyre me këtë fenomen. Partitë opozitare ndërkaq kërkojnë nga kryetari zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve të punës.

Edhe në vitin që kemi hyrë Komuna e Prizrenit vazhdon të jetë në thumb të kritikave sikurse nga shoqëria civile e po ashtu edhe nga opozita për borxhet e grumbulluara. Sipas monitorueses së OJQ-së, “Ec ma ndryshe”, Elmedina Baxhaku, Komuna e Prizrenit bazuar në analizën e bërë vazhdon që të operoj me shuma të mëdha të faturave të papaguara.

“Neni 15 i Raportit Vjetor Financiar 2012 shpalos detyrimet e komunës së Prizrenit. Në shënimin nr. 28 jepet pasqyra e faturave (obligimeve) të papaguara, që në total arrin shifrën prej 933 mijë eurosh. Vlera më e madhe e faturave të papaguara është në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve me 450 mijë euro, pastaj vijnë: pagat me 180 mijë euro, shërbimet komunale me 123 mijë euro, investimet kapitale me 101 mijë euro dhe subvencionet me 79 mijë euro. (Detajet tjera në lidhje me faturat e papaguara nuk i janë dorëzuar EC Ma Ndryshe-s, edhe pse ato janë përgatitur si aneks i RVF-së nga ana e DEF-it)”, tha Baxhaku për Radio Kosovën.

Ndërkohë, shqetësime rreth mënyrës së menaxhimit të parasë publike në adresë të pushtetit në Prizren ka paraqitur edhe partia më e madhe opozitare LDK, përmes nënkryetarit të saj, Haziz Hodaj, i cili ka kërkuar nga Kryetari i Komunës që t’i shlyej borxhet e grumbulluara ndaj operatorëve të ndryshëm.

Mirëpo, Drejtori i Ekonomisë dhe Financave, Mehmet Bytyc edhe pse pranon se komuna është e thelluar në borxhe në vlerën rreth një milion euro, thotë për Radio Kosovën se ato janë vazhdë e projekteve që po realizohen./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›