Punëtori i AKI-së është “prerë në besë” nga daja i tij

Punëtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Kastriot Islami, është “prerë në besë” nga daja i tij, Muhamet Meta. E ka denoncuar në polici për plaçkitje të bankës që dyshohen se e kanë kryer bashkë.
Meta, 56 vjeç, është arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës, pasi vetë është dorëzuar në stacionin e Policisë në “Dardani” të Prishtinës. Pas këtij denoncimi, Policia ka arrestuar në Prishtinë nipin e tij, Kastriot Islami, 29 vjeç, dhe Arben Pirrakun, 30 vjeç. Policia është vënë në kërkim edhe të shtetasit të Shqipërisë, Marin Lika, të cilët dyshohen se nën kërcënimin e armës kanë arritur të grabisin 13 mijë euro të mërkurën, në NLB Bankë, që gjendet në rrugën Prishtinë - Fushë-Kosovë.
Organet e hetuesisë dyshojnë se kjo grabitje është përgatitur moti dhe është studiuar mirë, pasi që Arben Pirraku ka një zyrë pune afër bankës. Policia dyshon se ky është grup i organizuar edhe për faktin se dy të dyshuarit janë nip e dajë.
Megjithësë Islami punon në një agjenci spiunazhi, ai është spiunuar nga taksisti i licencuar, Muhamet Meta.Posa është bërë publik lajmi dhe ka kuptuar se i janë marrë numrat e automjetit nga dëshmitarët, burime nga Policia kanë thënë se ai ka shkuar të nesermen në stacionin policior Jugu në lagjen “Dardania” në Prishtinë dhe ka treguar se ka vozitur disa grabitës, duke përfshirë nipin e tij, shkruan Koha Ditore.
“Unë jam taksist i licencuar dhe punoj që shumë vjet. Unë jam ndaluar nga këta në Fushë Kosovë dhe I kam pru deri në Prishtinë. Nuk jam i përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai para gjyqtarit./Indeksonline/