Kërkohet presion mbi Beogradin
Komisioni qeveritar për persona të pagjetur i Republikës së Kosovës është shprehur i indinjuar me raportin e Dick Marty, i cili u paraqit dhe u aprovua në Komitetin për Çështje Ligjore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Komisioni qeveritar për persona të pagjetur, raportin e vlerësoi si tendencioz dhe denigrues si dhe të nxitur nga qarqe të caktuara dhe me ndikime nga propaganda nacionaliste serbe dhe më gjerë .
“E kuptojmë së çdo individ mund të ketë mendime të pavarura por kur përfaqëson institucione me karakter vlerësues çdo kush duhet të lirohet nga konceptet dhe mendimet individuale që mund të ndikojnë në përmbajtjen e vlerësimit që ai vlerëson të jetë i paanshëm dhe i drejte”, thuhet në reagim.
Më tej thuhet se Marty si moto dhe mbështetje kryesore ka pas librin e Carla del Pontes, ish kryeprokurores së Tribunalit të Hagës për Krime Lufte në ish Jugosllavi.
Sipas Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, në librin e Del Pontes përmenden masakrat, përmenden të zhdukurit, por harrohet se kush mban përgjegjësi për masakra dhe për zhdukjet që bën ushtria dhe policia serbe, si dhe forcat serbe që vepronin me bekimin e institucioneve serbe.
“Edhe pse në raport përmenden personat e zhdukur, të cilët janë 1823 persona, që aktualisht nuk dihet së paku për eshtrat e tyre, nuk kërkohen rrugët që zgjedhin çështjen e ndriçimit të fatit të tyre”, thuhet me tej në reagim.
Sipas Komisionit, bartësit e aktiviteteve kriminale kanë qenë strukturat institucionale të organizuara në pushtet, ushtri dhe polici. Sipas tyre, shumë kriminel enden në Serbi, mbase edhe ushtrojnë funksione ne hierarkinë shtetërore dhe çmohen si heronj të popullit.