E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet shkolla e lartë edhe për infermierët

13/05/2010 Reforma me probleme përveç mjekëve kualifikim edhe për inferimierët

Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore që ofrohen kundrejt pacientit nuk mund të jetë pozitiv, në rast se kualifikimi do të kryhet vetëm në radhët e mjekëve. Ky shqetësim është ngritur nga drejtuesit e Urdhrit të Infermierit, të cilët kanë kërkuar që edhe kjo shtresë, e cila përbën rreth 70 për qind të gjithë personelit shëndetësor, duhet të kalojë nëpër sistemin e krediteve për kualifikimin e njohurive. Kjo, pasi reforma e ndërmarrë deri më tani ka përfshirë vetëm mjekët stomatologët dhe farmacistët, për të cilët është kërkuar zhvillimi i testimeve për vlerësimin e dijeve që do të jenë vendimtare në ushtrimin e këtij profesioni. Ndërkohë që nevojitet që krahas zhvillimit profesional të mjekëve, duhet të ecin dhe infermierët, pasi vetëm në këtë formë ndryshimet në sistemin shëndetësor do të jenë pozitive. Mangësi kjo që është pranuar tashmë edhe nga drejtuesit edikastereve shëndetësore, të cilët kanë kërkuar ashtu si edhe Urdhri, që edhe profesioni i infermierit të konfirmohet nëpërmjet krediteve që secili punonjës do të mbledhë nga testimet specifike. “Nuk mund të ketë mjekë të kualifikuar që i provojnë dijet e tyre, të cilët ecin në profesionin e tyre, dhe infermierë që mbeten pas. Pra, ose të dyja këto profesione ecin në sinkrone paralele, ose në rast të kundërt sistemi zhbalancohet dhe pasojat i vuajnë pacientët në strukturat e sistemit parësor, por dhe spitalor", ka pohuar ministri Vasili gjatë ditës së djeshme. Duke parë mangësitë e shfaqura në sistem, pak kohë më parë është marrë edhe një vendim për arsimimin e infermierëve, punësimi i të cilëve tashmë do të kërkojë mbarimin e studimeve në nivel universitar. Aktualisht në të gjithë vendin numërohen rreth 15 mijë infermierë, pjesa dërrmuese e të cilëve nuk kanë mbaruar studimet e larta universitare. “Urdhri i Infermierit ka filluar punën për hartimin e Regjistrit Kombëtar profesional të profesionistëve të kujdesit. Infermierët aktualisht nuk janë në programin e detyrueshëm të krediteve, por së shpejti edhe ata do të jenë pjesë e këtij programi, si gjithë profesionistët e tjerë të kujdesit shëndetësor. Ne po punojmë në këtë drejtim dhe kemi planifikuar një sërë aktivitetesh në shumë rajone, në kuadër të edukimit të vazhdueshëm profesional”, ka pohuar kreu i këtij urdhri, Sabri Skënderi.

Sipas të dhënave të raportuara deri më tani, rezulton se në vendin tonë numërohen rreth 14 mijë infermierë, ku më shumë se 4500 prej tyre ushtrojnë profesionin nëpërmjet kurseve të bëra apo me mbarimin e shkollës së mesme profesionale. Sipas Urdhrit të Infermierit, kjo kategori e personelit shëndetësor duhet që deri në vitin 2012 të jenë të regjistruar në një fakultet të infermierisë, pasi është një kriter i domosdoshëm për të ofruar një shërbim sa më cilësor për pacientët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›