E Shtunë, 31 Tetor 2026

Botë meshkujsh

Në Kinë, në vitin 2020 do të jenë 40 milionë djem më shumë sesa vajza. Shumë prej tyre nuk do të gjejnë bashkëshorte, një problem social tepër shqetësues

Një djalë të bukur: këtë dëshirojnë shumë çifte në Kinë. Dhe ndodh që ndonjë çift, nëse shohin në ekografi që është vajzë, zgjedhin ta abortojnë. Pasojat sociale të kësaj preference për foshnjat e gjinisë mashkullore janë të rënda dhe fillojnë të shfaqen dalëngadalë me kalimin e viteve. Në Kinë lindin 123 djem për çdo 100 vajza. Studiuesit e Akademisë së Shkencave Sociale në Kinë kanë bërë publike shifrat e një skenari alarmues: në vitin 2020, në vend do të ketë 40 milionë meshkuj nga mosha zero deri në nëntë vjeç më shumë sesa femra (ose më saktë ekuivalentja e të gjithë popullsisë së re mashkullore të Shteteve të Bashkuara), e si pasojë nuk do të arrijnë të gjejnë dot gra dhe në një farë mënyre do të përpiqen ta zgjidhin këtë problem duke kërkuar gra jashtë shtetit. Ky fenomen nuk i përket vetëm kolosit aziatik. është i pranishëm edhe në shtete si India, Koreja e Jugut, Armenia, Azerbajxhani dhe të tjerë, edhe pse në përmasa të ndryshme. Por situata është veçanërisht shqetësuese në Kinë dhe Indi (sidomos në disa zona veriore), dy shtete të mbipopulluara me meshkuj beqarë, fenomen që mund të bëhet tepër shqetësues jo vetëm në të ardhmen.

Edhe në Indi

“Kina dhe India jetojnë në një situatë të ngjashme, shkaktuar nga një ndërthurje e disa shkaqeve, pjesërisht të zakonshme dhe pjesërisht të veçanta”, shpjegon Valerie Hudson, docente e shkencave politike në Universitetin “Brigham Young” (SHBA). Kjo situatë ka lindur nga një përzierje faktorësh, përfshi këtu edhe zhvillimin e teknologjisë, siç është në këtë ekografi, e cila bën të mundur zbulimin e gjinisë së foshnjës. Ky fakt po bën që çiftet të zgjedhin ndërprerjen e një shtatzënie, kur foshnja është vajzë, sidomos në fëmijën e dytë, ku e para ka qenë vajzë, ndonëse aborti me dëshirë mbi bazën e gjinisë është i ndaluar në Kinë, Indi dhe shumë shtete të tjera.

Një studim i vitit 2006, i publikuar në revistën “The Lancet”, ka llogaritur për shembull se dy dekadat e mëparshme aborti me dëshirë ka prekur 10 milionë fetuse të gjinisë femërore në Indi. Në këtë pjesë hyjnë në lojë faktorë të tjerë: preferenca tradicionale për një foshnjë mashkull, por edhe përmasat e vogla të familjeve. “Të dyja kulturat, si ajo kineze dhe indiane, kanë një traditë radikale në zhvillimin e rolit të femrës dhe një preferencë të fortë për foshnjat e gjinisë mashkullore”, thotë Hudson. “Kjo tendencë është forcuar nga ‘patrilokaliteti’, pra duke e vënë qëndrimin e çifteve të martuara nga vendi i origjinës së burrit. Gjithashtu, trashëgimia përcillet sipas linjës atërore, mbiemrat janë ata të baballarëve, madje edhe ritet fetare janë të përqendruara te figurat mashkullore të familjes. Në të dyja vendet mungojnë politikat që mbështesin të moshuarit dhe prindërit mbështeten veçanërisht te ndihma dhe përkrahja e fëmijëve meshkuj. Të gjitha këto arsye i shtyjnë çiftet e reja të preferojnë djemtë”. Mbi këtë parim kulturor rrënjosen pastaj mekanizmat demografikë. Në Indi, përmasat e familjes po zvogëlohen: jo më shumë fëmijë, por një ose dy. Kjo gjë po ndodh edhe në zonat rurale. Ndërkohë në Kinë ekziston politika e një fëmije, e cila e kushtëzon lindjen e një fëmije të dytë. Megjithatë ka shumë presion, në të gjitha këto raste, për të pasur një mashkull në familje.

Të vetmuar dhe të trishtuar

Meshkujt beqarë të së ardhmes do të jenë një brez i trishtuar dhe i turbulluar: në Kinë i quajnë “guanggun”, “pemë pa kokrra”, bosh. “Po shohim të shfaqen fenomene shqetësuese si tregjet e grave-skllave, apo importimi i nuseve të reja (për shembull nga vendet e tjera aziatike), ku raporti mes dy sekseve është më i çekuilibruar, madje janë vërejtur edhe nivele të larta dhune”, thotë Hudson. Në fakt, studiuesja thekson se një tepricë meshkujsh pa lidhje sociale të qëndrueshme mund të jenë edhe një problem sigurie. Nëse ky fenomen zgjerohet mund të sjellë një situatë dhune dhe paqëndrueshmërie, si në Kinë ashtu edhe në Indi, me rrezikun që secila nga qeveritë e shteteve përkatëse do të adaptojë politika gjithnjë e më autoritare për të përballuar këtë emergjencë.

Edhe një analizë e Therese Hesketh nga Universiteti “College London” (Angli) dhe Zhu Wei Xing nga Universiteti “Zheiang Normal University” (Kinë) theksojnë se si meshkujt kinezë rrezikojnë të mbeten beqarë e me nivel të ulët kulturor e shoqëror. Gjithashtu do të rritej rreziku i sjelljeve antishoqërore, dhunës dhe destabilizimit të shoqërisë. Megjithatë, pavarësisht kësaj situate zgjidhje ka. Sipas një profesori demografie në Universitetin e Firences, problemi është me natyrë etikosociale: çekuilibri që i detyrohet abortit me dëshirë është i lidhur me vlerësimin e paktë që i bëhet gjinisë femërore dhe shtetet që vuajnë nga ky diskriminim duhet të pyeten për arsyet e tyre të vërteta e të thella. Edhe pse fenomeni është i hershëm, shkaqet e tij mund të deshifrohen. është për t’u çuditur që kinezët e diasporës, të cilët jetojnë në vendet perëndimore, nuk vuajnë nga ku çekuilibër.

Zgjidhjet

Në Indi janë adaptuar politika korrigjuese, të cilat mbështesin familjet që vendosin të sjellin në jetë vajza, në zonat ku çekuilibri është më i pranishëm dhe kontribuojnë për rritjen e vajzave. Kjo është edhe një prej arsyeve që familjet më të varfra nuk dëshirojnë vajza: nuk duan t’u mësojnë vlerat, që më pas i kalojnë familjes së burrit. Edhe në Kinë qeveria po përpiqet t’i vërë frerë fenomenit. Programet e mbështetjes parashikojnë ndihma për familjet që kanë vajza. “Janë kryer edhe eksperimente për të mbështetur martesat që favorizojnë familjet e grave”, thotë Valerie Hudson. “Me këtë zgjedhje po shkohet drejt një politike më tolerante, sidomos familjet që sjellin në jetë dy fëmijë, por duke mos aplikuar sanksionet e parashikuara”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›