E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretet e dietave të yjeve

Pak ushqim të shëndetshëm dhe shumë ushtrime fizike. Ja ‘hiletë’ e VIP-ave për të pasur një trup perfekt dhe për të qenë gjithmonë në formë

Të gjithë u habitëm teksa pamë Heidi Klum-in të rikthehej në pasarela vetëm pas gjashtë javë lindje, apo kolegen e saj Gisele Bundchen në formën më të mirë se sa para lindjes. Jeniffer Aniston, Cindy Crawford, Naomi Campell, Claudia Schiffer, Jeniffer Lopez apo Catherine Zeta Jones, nuk i kemi parë qoftë edhe njëherë të vetme të mos rrezatojnë nëpër ekranet ku shfaqen. Dieta më e fundit e Jeniffer Aniston është ajo ku gjatë ditës i duhet të konsumojë 14 porcione pure, sigurisht pa vaj, erëza dhe kripë, fruta të athta, qull tërshëre dhe supë me luleradhiqe jeshile. Në mbrëmje një darkë normale me mish pa dhjamë dhe perime të ziera lejohet pa asnjë problem. Kjo është dieta që e bëri Aniston të humbiste shumë kilogramë për një kohë të shkurtër. Sipas specialistëve, sa më i lehtë të jetë ushqimi që konsumoni, aq më të përshtatshme janë kaloritë e tij për organizmin. Nga ana tjetër, pantera e zezë, 40-vjeçarja Naomi Campbell, pranon se është fanse e çmendur e “Master Cleanse”, e njohur gjithashtu si “The Lemonade” apo “Maple Syrup Diet”. Dieta përfshin pirjen nga 6 deri në 12 gota në ditë të shurupit të panjës, lëngut të limonit dhe ujit përzier me spec të kuq. E ftuar në emisionin e Oprah javën e kaluar, ajo tregoi se preferon ta praktikojë këtë dietë tri herë në vit dhe periudha më e gjatë që e ka praktikuar ka qenë 18 ditë. Supermodelja Cindy Crawford është e çmenduar pas “The zone diet”, ku gjithçka që ha duhet të jetë në përpjesëtimin: 40 për qind karbohidrate, 30 për qind proteina dhe 30 për qind yndyra. Dieta ndalon sheqerin, bukën, makaronat, orizin, alkoolin dhe kafeinën. Ajo rekomandon edhe kufizimin e frutave dhe perimeve me përmbajtje të lartë sheqeri si, papaja, mango dhe karotat. Sipas kësaj diete, përveç tri vakteve kryesore përfshihen edhe 2 minivakte, kryesisht me fruta dhe biskota dietike. Por, ndryshe nga shumë yje që e pranojnë se hanë gjithçka që u pëlqen, Claudia Schiffer, që pret të bëhet nënë për të tretën herë, e pranon se punon shumë me trupin e saj. Ajo nuk pi alkool, nuk përdor pije që përmbajnë kafeinë dhe bën ushtrime rregullisht. Ajo nuk beson shumë te dietat për të mbajtur në formë trupin, por zbaton një plan të rregullt të të ngrënit. Top modelja gjermane konsumon vetëm fruta dhe perime përpara drekës, ndërsa gjatë drekë gjithmonë supë, sallatë dhe perime, kurse për darkë sallatë me mish pule apo peshk ton dhe shpesh për t’i zëvendësuar pulë në zgarë dhe perime të ziera. Sipas dietologëve, frutat janë më të preferuara se lëngjet dhe Claudia e zbaton me përpikmëri këtë rregull. Nuk duhet të lëmë pa përmendur kurrsesi Heidi Klum. Bukuroshja gjermane me një fizik për t’u adhuruar dhe nënë e katër fëmijëve na habiti të gjithëve kur u shfaq në pasarela plot gjashtë javë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e katërt. Top modelja është e çmendur pas një regjimi të rreptë ushqimor të quajtur “Ultimate New York Body Plan”, që përdori për t’u kthyer në pasarelë pasi lindi fëmijën e saj. Alkooli, kafeina, buka, brumërat, ëmbëlsirat janë krejtësisht të ndaluara. Jo më shumë se 1200 kalori në ditë në formën e proteinave, perimeve dhe yndyrave të shëndetshme, si vaj ulliri, fara kungulli, apo fara luledielli. Ajo ha çdo tri orë dhe stërvitet për 90 minuta në ditë. Pas dy javësh do të shihni rezultatet. Për t’i dhënë kurajë vetes, Heidi e fotografon veten e saj nudo të paktën një herë në javë. Braziliania Gisele, edhe pse s’do të kthehet më në pasarelë, nuk do të thotë se e ka lënë pas dore formën e saj trupore, përkundrazi duket më mirë se kurrë. Ajo është fanse e një diete franceze të shpikur nga dietologu Pierri Dukan. Kjo dietë përmban katër faza dhe bazohet shumë te kombinimi mes ushqimeve. Kate Moss për të ruajtur shëndetin bazohet te “Vibrancy Diet”, që bazohet në tri vakte në ditë, ku në mëngjes përdor kosin probiotik, frutat dhe tostin, ndërsa dy vaktet e tjera peshk në zgarë apo pulë dhe perime. Kate pi shumë ujë me akull për të larguar urinë dhe tregon se nuk konsumon birrë, verë apo shampanjë, por vetëm vodka me limon të freskët. Po ashtu, sipas thashethemeve, Kate e pastron fytyrën vetëm me qumësht të zier. Angelina Jolie ushqehet vetëm me sushi, Jeniffer Lopez nuhat vaj qitroje, ndërsa Demi Moore ha vetëm gjalpë kikirikësh dhe mollë. "Sekreti më i madh që kam mësuar është se artistet nuk ndjekin asnjë lloj diete: hanë ushqim normal, por nuk e ekzagjerojnë", thotë dietologia Sindi Perlman. Michael Pfeiffer ndonjëherë ha shpesh ushqim meksikan dhe kek, pa e vrarë mendjen shumë për kaloritë. Jeniffer Lopez nuhat vaj qitroje, sepse stimulon enzimat e zorrëve, duke bërë që të humbasësh peshën dhe oreksin. Ai lëshon një aromë që aktivizon enzimat dhe ndikon në rënien nga pesha. Studimet tregojnë se kafshëve që u vihej përpara vaji i qitros tri herë në ditë nga pesëmbëdhjetë minuta pësonin një rënie të dëshirës për të ngrënë, që shoqërohej edhe me disa kilogramë më pak. Edhe Carmen Electra nuk harron ta përdorë. Po Demi Moore? Sekreti i saj për të qenë gjithmonë në formë, meqenëse ka në krah edhe një bashkëshort shumë më të vogël se vetja, është se ajo i kënaq dëshirat e papritura të ëmbëlsirave, duke ngrënë gjalpë kikiriku dhe mollë. Mes sekreteve më të thjeshta për të rënë nga pesha, është ai i të larit të dhëmbëve menjëherë pas vakteve, ashtu siç bën Methju Mekonaugej, që nuk harron kurrë të marrë me vete në restorant furçën dhe pastën e dhëmbëve. Sipas tij, shija e pastës çon në tru sinjalin e tejngopjes. Një tjetër këshillë e dietologëve, që respektohet me shumë kujdes në botën e kinemasë, është që ushqimi të hahet në pjata blu. Ndoshta ndonjë studim duhet të ketë treguar se ngjyra blu të largon dëshirën për të ngrënë? Një tjetër ushqim shumë i mirë për të pastruar organizmin janë edhe karçofët, por edhe kanella që ul kolesterolin dhe sheqerin në gjak. Një nga hiletë më të veçanta është edhe ajo që dietologia i ka sugjeruar aktores Uma Thurman. Kur kamerieri të vendos bukën mbi tavolinë, është e nevojshme që menjëherë pa asnjë hezitim t‘i hedhësh sipër një gotë ujë. Mes dietave më të çuditshme është edhe ajo e biskotave, shumë në modë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu thotë Jennifer Hudson: "Ha një biskotë dhe hiq qafe një vakt". Por lajmi më i keq për ata që duan të ndjekin dietat sekrete hollivudiane është se yjet me fizikun e tyre të mrekullueshëm bëjnë shumë aktivitet fizik për të qenë në formë. "Nuk humbin asnjë ditë palestër. Nëse u duhet të ngrihen në pesë të mëngjesit për të xhiruar, ngrihen në tre të mëngjesit dhe stërviten", nënvizon dietologia.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›