Kërkohet vëmendje më e shtuar e situatës së sigurisë në veri

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës kërkojnë nga organet e sigurisë që të përcjellin me vëmendje situatën në veri, duke pasur parasysh reagimet që mund të vijnë pas marrëveshjeve eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Grupet serbe që kundërshtojnë vendosjen e rendit dhe ligjit në veri mund të reagojnë në rast të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duke pasur parasysh këtë, drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, kërkuan sot në takimin e Komitetit të Sigurisë, që organet e rendit të jenë të përkushtuara për çfarëdo rasti. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se situata javën e fundit ka qenë e qetë, por ajo nuk duhet të neglizhohet.
”Situata në javën e kaluar ka qenë plotësisht e qetë, nuk ka pasur ekcese. Bisedat sikur që e dimë po hyn në fazën përfundimtare, aq sa jemi të informuar se po presim që të jenë edhe marrëveshjet konkrete të arritura më datën 20. Kjo ndërlidhet drejtpërdrejt më sigurinë në qytetin tonë, gjegjësisht në pjesën veriore”, tha ai.
Kastrati theksoi se kjo i obligon që të jenë shumë të angazhuar gjatë këtyre ditëve. ”Me siguri do të ketë edhe të tillë që nuk ka do t'u konvenojnë marrëveshjet e arritura. Atyre që nuk do ju konvenon me siguri do të jenë në situatë, kur do të tentojnë të bëjnë destabilizim, çrregullim, protesta. Na mbetet për obligim që me të vërtet të jemi tepër të përgatitur.
Në këtë takim të Komitetit të Sigurisë, u fol edhe për dëmet që kanë shkaktuar përmbytjet në zona të ndryshme të qytetit, për çka tashmë ka filluar punën një komision për vlerësimin e tyre./Indeksonline/