Vizitojnë zonat e përmbytura

I pari i qytetit të Mitrovicës, Avni Kastrati me bashkëpunëtorë, ka vizituar gjatë uikendit të gjitha zonat që janë prekur nga përmbytjet dhe pasi kanë parë gjendjen e krijuar ata kanë premtuar mbështetje për rastet emergjente.
Kastrati ka thënë se do të bëhet krejt çka është e mundur që t’u dilet në ndihmë atyre që janë dëmtuar nga përmbytjet.
“Një prej rasteve më të rënda është ai i familjes Rexhepi në Vaganicë, ku uji ka depërtuar brenda shtëpisë duke bërë dëme të mëdha”, ka thënë Kastrati.
Ai, përveç Lushtës, Vaganicës dhe Rekës, ka vizituar edhe zonën e Tunelit ku shembja e dheut ka rrezikuar dy shtëpi në afërsi. “Dëmet janë të mëdha, por fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë person të lënduar gjatë këtyre përmbytjeje”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka thënë se pas gjendjes së krijuar si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut që përmbyti disa zona të Mitrovicës, është formuar një komision për vlerësimin e dëmeve. “Aktualisht nuk mund të japim një shifër të përafërt për dëmet, por shihet se ato janë mjaft të theksuara”, ka theksuar Bala.
Sipas tij, ka nevojë për pastrimin dhe zgjerimin e shtratit të lumit Lushtë, por edhe të lumit Trepçë.
“Zonat në afërsi të këtyre dy lumenjve janë më të prekurat, meqë shtrati i tyre është ngushtuar”, ka thënë Bala./Indeksonline/