E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohet zgjedhje për tri kategori vulnerabil/Qendra për fëmijët me aftësi ndryshe, personat me probleme të shëndetit mendor dhe të moshuarit e vetmuar

Është zhvilluar takimi i Organit Këshillues të Prefektit të Qarkut Korçë, me pjesëmarrje të drejtuesve të institucioneve vendore, të cilët kanë diskutuar mbi çështjet më të ndjeshme sociale të cilat kërkojnë zgjidhje nga organet kompetente.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se kategoritë më të ndjeshme të cilat kanë nevojë për një sërë shërbimesh janë fëmijët me aftësi ndryshe, personat me probleme të shëndetit mendor si dhe të moshuarit e vetmuar.

“Jam habitur në fakt nga gatishmëria dhe vullnetarizmi që kanë treguar qytetarët pjesëmarrës. Të gjithë janë vet ofruar ku janë qendrat sepse ne do vijmë të shërbejmë. Ajo që mungon mungojnë zgjidhjet institucionale sepse problemet janë komplekse”, u shpreh Florinda Zegullaj, Prefekte e qarkut Korçë.

Nga ana e bashkive të qarkut të Korçës janë hedhur ide për ngritjen e disa qendrave për fëmijët me aftësi ndryshe, për personat me probleme të shëndetit mendor, si dhe për të moshuarit.

“Do të ishte një nder për institucionet që ne përfaqësojmë edhe për territorin e qarkut që ne përfaqësojmë që shërbimi kombëtar për aftësinë e kufizuar 0-18, ta ngremë në Korçë dhe të mos jetë vetëm për qarkun, por të jetë kombëtare”, tha Benila Themeli, Nënkryetare e Bashkisë Korçë.

“Pra rastet më të vështira, më imediate, ne të ndërtojmë një qendër të përbashkët”, tha Erjon Isai, Kryetar i Bashkisë Kolonjë.

“Shteti të na japë lekët, ne të bëjmë një spital për të sëmurët mendorë, një rezidencë për fëmijët në aftësi të kufizuar dhe një rezidencë për të moshuar”, tha Ilir Xhakolli, Kryetar i Bashkisë Pogradec.

Pritet që nga ana e bashkive të qarkut të Korçës të bëhet një propozim i përbashkët drejtuar qeverisë shqiptare për të mundësuar financimin dhe ngritjen e këtyre institucioneve të cilat pritet të ndihmojnë për zgjidhjen e disa nga plagëve më të rënda të shoqërisë në qarkun e Korçës.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›