E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Plani ynë ambicioz, Shqipëria të jetë gati për BE-në para vitit 2030

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria synon që brenda vitit 2030 të jetë gati për Bashkimin Evropian dhe të ketë kryer të gjitha detyrat.

Në një intervistë nga Luksemburgu, Rama u ndal tek ecuria e deritanishme e procesit të integrimit evropian.

“Faktikisht ne i kemi çelur negociatat, kemi çelur fazën e parë të procesit të screening, të gjithë organizimin po themi institucional të Shqipërisë, diagnozës dhe tani kemi çelur negocimin, pra jemi në momentin kur kemi hapur kapitullin e ‘Themeloreve’, grup-kapitullin e ‘Themeloreve’ me pesë kapituj dhe tre kritere që do të thotë, futja tani në thellësinë e negocimit”, u shpreh Rama.

I pyetur se kur parashikohet përmbyllja e këtij procesi, Rama tha se “ne kemi një plan shumë ambicioz, sepse duam që Shqipëria të jetë gati dhe të ketë përmbushur të gjitha objektivat dhe të ketë goditur të gjitha shënjestrat që ka procesi përpara vitit 2030”.

“Ne në vitin 2030, maksimumi po themi, ne të jemi gati për Bashkimin Evropian. Plani nuk është një plan se kemi ne dëshirë të kemi një plan. Është një plan i përpunuar dhe i dakordësuar me komisionin duke menduar që brenda mandatit të katërt puna të jetë përmbyllur dhe Shqipëria të konsiderohet një vend me detyra të kryera”, u shpreh Rama.

Kryeministri komentoi edhe ndarjen nga Maqedonia e Veriut në procesin e çeljes së negociatave, ndërsa theksoi se “kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askënd përgjithmonë”.

“Shqipëria në këtë rrugë ka hyrë vetë dhe pastaj është gjendur mbrapa, pak më përpara pastaj shumë mbrapa, pastaj është gjendur në shoqëri të dikujt, pastaj në shoqëri të dikujt tjetër. Ndërkohë që Maqedonia e atëhershme dhe kjo e Veriut që është e njëjta gjë, po ka një emër tjetër, ka qenë shumë përpara nesh, edhe tani neve jemi, konsiderohemi përpara gjithë të tjerëve, ndërkohë që deri dje konsideroheshim, kur ne e nisëm ishim prapa të gjithëve, pastaj filluam t’i afroheshim, por të tjerët ishin përpara. Kjo është një korsi individuale e çdo vendi dhe nuk jemi të lidhur në çift me askënd përgjithmonë, sepse ka vetëm një lidhje në çift që shqiptarët kanë vendosur vetë që ta bëjnë dhe është lidhja me Bashkimin Evropian, ndërkohë që të gjitha lidhjet e tjera në çift që kemi jetuar në shekuj kanë qenë lidhje të imponuara”, tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj interesimit të gazetarëve edhe lidhur me faktin se çfarë pret nga opozita për ta mbështetur vendin në këtë proces.

Rama theksoi se “patjetër që kjo është një rrugë me pengesa”.

“Pengesat në radhë të parë janë pengesa që duhet t’i kapërcejmë ne, sepse është një mal i tërë për t’u ngjitur tek ajo maja që unë e përsëris, ku Shqipëria duhet të ngjitet në 2030-ën në të gjitha aspektet dhe këtu nuk është fjala për ta marrë Shqipërinë për ta sjellë këtu. Këtu është fjala për ta ndërtuar Evropën atje dhe për ta kthyer Shqipërinë në një vend që funksionon si një anëtar i BE me liri individuale, me rendin ligjor, me demokraci funksionale”, theksoi ai.

“Për sa i përket opozitës, unë nuk kam çfarë të them. Ne nuk mund as ta ndalojmë, as ta ndryshojmë, as ta ngadalësojmë dhe as të ndërhyjmë në procesin pa kthim të vendosjes së drejtësisë përmes një sistemi drejtësie të pavarur dhe natyrisht, heqja e duarve të politikës nga drejtësia ka krijuar dhembje, ka krijuar situata me të cilat ne nuk jemi mësuar dhe drejtësia ka goditur majtas dhe djathtas. Me shumë majtas sesa djathtas, nëse e marrim në aspektin kuantitativ, por kjo është ajo që kemi kërkuar, kjo është ajo për të cilën kemi luftuar edhe kush nuk do të pranojë vendimet e drejtësisë, është i destinuar t’i bjerë murit me kokë dhe në fund është koka dhe jo muri që do bëjë prapa”, theksoi Rama.

I pyetur mbi planin e investimit të BE-së, Rama tha se Shqipërisë dhe vendeve të tjera po i jepet akses në tregun e përbashkët evropian.

“Nuk është vetëm kjo anë. Kjo është njëra anë, ana tjetër është që Shqipërisë dhe vendeve të tjera po i jepet akses në tregun e përbashkët evropian dhe po ju jap vetëm një shembull: Shqipëria është më e avancuara në procesin e futjes në zonën e përbashkët evropiane të pagesave, që do të thotë që të gjitha transaksionet e parasë që bëhen nga shqiptarët e Evropës për në Shqipëri, të cilat jashtë kësaj zone dhe në kushtet që jemi, janë shumë më të shtrenjta sesa transaksionet që bëhen në vendet e BE, do të bëhen njësoj si të ishte Shqipëria një vend anëtar i BE. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë miliona e miliona euro të kursyera nga xhepat e shqiptarëve të Evropës kur çojnë para në Shqipëri dhe anasjelltas, kështu që është një kompleks i tërë gjërash për të cilat jam shumë krenar sepse ne kemi qenë zëri i fuqishëm që kemi avokuar prej disa vitesh, një ndryshim në qasje në këtë proces dhe njëkohësisht jam shumë, shumë falënderues Komisionerit Várhelyi, sepse ka qenë vërtetë një urë e bekuar mes nesh dhe Komisionit”, theksoi ai.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›