E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kërkoi riekspertim për kostot e demontimit në fabrikën e Poliçanit, GJKKO rrëzon kërkesën e Mediut

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit rrëzoi sot  kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për kryerjen e një riekspertimi pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i kërkoi Gjykatës së Posaçme të ripërsërisë pjesërisht akt ekspertimin e dëmit ekonomiko financiar të çështjes “Gërdeci”, kërkesë e cila u rrëzua sot, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 17 tetor, ora 13:00.

Në një deklaratë për mediat, ish-ministri Fatmir Mediu tha se ky është aktekspertimi në fuqi i pavlerë dhe procesi është farsë.

Mediu theksoi se “pa dëm ekonomik nuk ka akuzë për shpërdorim detyre”, por sipas tij, “asnjëherë demontimi nuk ka qenë me fitim”.

“Ne i kemi dhënë predha falas, kemi paguar kostot dhe shpenzimet e transportit. Shkresa e Poliçanit deklaron se nëse do bëhej në Poliçan, do zgjaste rreth 30 vjet, akoma do vazhdonte demontimi. Edhe njëherë dua ta theksoj, akti i ekspertimi është i pavlerë. Gjykata është ajo që çmon aktin e ekspertimit, prandaj vazhduam procesin pyetje me pyetje. Nëse kanë interes për të vërtetën, mund ta kishin bërë një akt ekspertimi se nuk duhej as kohë e gjatë”, u shpreh Mediu. /m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›