E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mesazhe të pretenduara se rrjedhin nga SKY/ECC, SPAK: Të manipuluara, qytetarët të kenë kujdes

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri sot të ditur se është vënë në dijeni për disa mesazhe që i kanë mbërritur politikanëve dhe figurave publike gjatë ditëve të fundit përmes aplikacionit të koduar të komunikimit, Signal.

“Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Posaçme, mesazhet e pretenduara se rrjedhin nga transkripte bisedash të kryera nëpërmjet SKY/ECC janë manipuluar duke sajuar biseda të pavërteta për individë dhe veprime të kundërligjshme”, thekson SPAK.

Prokuroria e Posaçme, bën të ditur se, po monitoron nga afër këtë situatë dhe ka nisur verifikimet për të identifikuar burimet e këtyre mesazheve me qëllim ndjekjen penale të autorëve.

SPAK i bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktorëve publikë të tregojnë kujdes kur ndërveprojnë me mesazhe të kësaj natyre, si dhe të shmangin shpërndarjen e materialeve të paverifikuara.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u paraqit në SPAK para disa ditësh lidhur me denoncimin e tij pas shantazheve të marra në platformën Signal dhe nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për nxjerrje të bisedave të SkyECC.

Pas daljes nga SPAK, Bardhi bëri të ditur se ka dorëzuar telefonin e tij në kuadër të hetimeve, ndërsa tha se, dokumentet që i janë dërguar janë të falsifikuara me qëllim intimidimin dhe shantazhin ndaj tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›