Kërkoj eshtrat e babait, mora një përgjigje fyese
I dashur “Shekulli”! Tri ditë më parë u ndjeva i fyer e i poshtëruar! Kam vite që interesohem për gjetjen dhe sjelljen në atdhe të eshtrave të babait tim, të cilin nuk munda ta njoh kurrë. Në dimrin e vitit 1940, vit në të cilin qeveria italiane e asaj kohe hapi frontin e luftës Italo-Greke, babanë tim (atëkohë 23 vjeç – unë isha 3 vjeç) italianët e kanë nisur dhunshëm në front.
Si babai im kanë qenë me qindra shqiptarë të rekrutuar (shumë pa dëshirë) nga qeveria kuislinge në Tiranë.U hodhën si mish për top në tokën greke. (dihet botërisht thirrja që u bëri komandanti shqiptar Spiro Moisiu trupave tona për të mos luftuar popullin vëlla grek). Komanda italiane, në ato ditë të egra lufte ka ekzekuar shqiptarë që nuk pranonin të luftonin. Një nga ato ditë, babai im dhe një ushtar tjetër, nën grykën e armëve janë detyruar të hapin një varr të përbashkët dhe janë qëlluar e janë varrosur aty, diku në tokën greke.
Kam që në vitin 1991 që interesohem për gjetjen e trupit të babait tim. Në ato vite ka patur dëshmitarë okularë, (shumë nuk jetojnë më), që deklaronin se mund të më çonin tek varri i babait tim. Kam marrë dëshmitë e tyre dhe i kam paraqitur pranë ambasadës italiane në Tiranë, por jam ndeshur me fodullëk të përhershëm. I kam shkruar qeverisë italiane. Pa përgjigje. Tri ditë më parë, pas insistimeve, më është kthyer një përgjigje: “Ky person nuk gjendet”!
Desha t’i bëj me dije palës italiane se trupat tanë kanë qenë të organizuara në toga e kompani. Ushtarët tanë, ashtu si ata italianë, i kanë patur në qafë medalionet e identifikimit. Trupat e ushtarëve tuaj, zotërinj të nderuar, i keni mbledhur edhe në Afrikën e largët, ndërsa trupat e “ushtarëve të huaj” i keni lënë vetëm pak kilometra larg kufirit.
I lutem shtetit shqiptar t’i kërkojë me forcë palës italiane zgjidhjen e problemit tonë. Si unë ka shumë të tjerë.