Meta: Tani, protesta në rrugë, nuk na nështrojnë dot ne ata
Mbyllet në “paqe” protesta e përkrahësve të deputetëve të ngujuar në parlament
TIRANË- 10 deputetët e ngujuar prej tetë ditësh në Kuvend, u dorëzuan dje nga kërkesat e tyre politike. Edhe pse kishin paralajmëruar greve deri në fund, mbrëmë rreth orës 19.00, teksa në Kuvend po merrte udhë miratimi i Kodit të ri Zgjedhor, ata kanë dalë nga greva , duke paralajmëruar se hapi i tyre në të ardhmen do të jene protestat. Po dje, thirrja e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i ka dhënë fund edhe protestës së qindra simpatizantëve, që për tetë ditë më radhë pushtuan sheshin “Xhorxh Bush”.
Meta
“Ne sot, përfundojmë etapën e parë, vetëm etapën e parë, të përpjekjeve tona konstruktive dhe paqësore, të sakrificave tona brenda e sidomos të sakrificave tuaja këtu jashtë për tetë ditë e për tetë netë me radhë. Nesër fillon një etapë tjetër, një etapë e cila do t’i bëjë të gjithë botës së ditur, që ata dy zotërinj, dy bosa të kastës, kanë bërë një gabim fatal për veten e tyre, sepse nuk na nënshtrojnë dot ne ata”,- tha dje Meta. Kryetari iLSI-së i shoqëruar edhe nga kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, por edhe deputetët e tjerë greviste tha se, do të krijohet një front shumë i gjerë për të mbrojtur votën e lirë. Po mbrëmë kryetari i LSI-së, ka lëshuar akuza edhe ndaj një diplomati, që mesa duket nuk e ka mbështetur kauzën e tyre politike. “Është turp! Është turp i madh, jo vetëm për kartonat e Berishës dhe të Ramës, por edhe për ndonjë diplomat, që i mban sytë nga xhepi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Të jeni të sigurt që fushata jonë nuk do të jetë vetëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Fushata jonë do të jetë kudo në të gjithë Shqipërinë, do të jetë kudo në të gjithë Europën, do të jetë në Uashington, do të jetë në të gjitha vendet aleate”, - tha ai.
Ndoka
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka akuzuar ashpërkryeministrin Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend. “Sot për mua, për kolegët e mi deputetë, për qindra e mijëra demokristianët brenda e jashtë Shqipërisë, Sali Berisha po kryen një puç kushtetues, një krim kundër demokracisë, një akt të ulët hakmarrjeje”,- tha ai. Ndoka shpalli publikisht vijën politike që do të ndjekë në të ardhmen, duke theksuar se ai nuk do të jetë më në anën e kryeministrit Sali Berisha. “Sot, Sali Berisha dhe ortakët e pazareve të fshehta antikushtetuese në Partinë Socialiste, kanë ardhur për të vendosur mina ndaj procesit zgjedhor të vitit 2009, për të goditur jo vetëm PDK-në, LZHK-në, LSI-në dhe partitë e tjera politike, por edhe për ata qindra intelektualë, presidentë, burra shteti, shkrimtarë e akademikë, doktorë, që iu bashkuan protestës tonë qytetare”,- tha ai. Menjëherë pas fjalës, Ndoka ka mbyllur grevën duke dalë bashkë me deputetë e të tjerë grevistë para protestuesve. Po dje, në Kuvend ka folur edhe kryetari i PS’91, deputeti Petro Koçi dhe ai demokristian, Frrok Gjini.
Protesta
Këngët patriotike dhe një poezi e Arben Dukës herë pas herë ngjallnin entuziazmin e protestuesve që pasditen e së djeshmes ishin më në ankth se kurrë. Vendosja në rendin e ditës së seancës parlamentare të Kodit Zgjedhor, ishte shpresa e fundit për “fitore”, shpresë e cila mori fund sapo kreuLSI-së, Ilir Meta, foli nga foltorja e kuvendit. Edhe pse kërkesat e 10 deputetëve të cilët qëndruan për tetë ditë në grevë nuk u morën në shqyrtim në seancën e parlamentit, kjo nuk ka zbehur aspak besimin e militantëve. Pas fjalës së mbajtur nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, por edhe deputetëve të tjerë grevistë, në mënyrë krejt paqësore, protestuesit i dhanë fund “pushtimit” të sheshit “Bush” ku për tetë ditë qëndruan në mbështetje të 10 deputetëve në grevën e tyre të urisë.
Ambasadori amerikan në Tiranë takon Kryetaren e Kuvendit, Topalli dhe dy krerët e grupeve parlamentare, pak orë para fillimit të votimit të Kodit
Kodi, Withers mbështet konsensusin e dy partive
TIRANË- Miratimi i Kodit të ri Zgjedhor gjatë seancës së djeshme plenare ka qenë një hap i mirëstudiuar nga dy partitë e mëdha, të cilat deri në momentet e fundit janë kujdesur që të shmangin çdo hap fals në këtë drejtim. Vetëm pak orë më para se të hapej seanca, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe dy kryetarët e grupeve kryesore parlamentare, Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj janë konsultuar me ambasadorin amerikan të akredituar në vendin tonë, Xhon Withers, i cili me sa duket ka dhënë “OK” për hapin final, atë të miratimit të kodit gjatë seancës së djeshme.
Takimi
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e shoqëruar nga deputetë të tjerë të Kuvendit, ndër të cilët dy Kryetarët e Grupeve Parlamentare të PD-së dhe PS-së, priti dje paradite në një takim të veçantë Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Withers. Siç bëhet e ditur edhe nga njoftimi në faqen zyrtare të Kuvendit në takimin e kërkuar nga vetë Topalli, u bisedua kryesisht mbi zgjedhjen e Presidentit të ri të SHBA-së, Barack Obama dhe bashkëpunimin e mëtejshëm mes Shqipërisë dhe aleatëve tanë amerikanë, për të cilin bashkëbiseduesit shprehën bindjen se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej. Kryetarja e Kuvendit nga ana e vet shprehu vullnetin dhe dëshirën për shkëmbime mes Kongresit Amerikan dhe Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa deputetët e tjerë shprehën bindjen se raportet me administratën e re të Presidentit Obama do të jenë të shkëlqyera. Megjithëse njoftimi zyrtar mjaftohet vetëm me një përmbledhje të shkurtër të asaj që u bisedua në këtë takim, mësohet se jashtë vëmendjes së diskutantëve nuk ka mbetur as situata e fundit politike dhe veçanërisht debati për kodin e ri zgjedhor, i cili duhet të kalonte në seancën e pasdites për miratim.
Withers
Burime pranë këtij takimi bëjnë të ditur se ambasadori amerikan Withers, ashtu siç edhe ka treguar edhe më parë për çështje të nxehta të debatit politik, duket se ka qenë i drejtpërdrejtë në mesazhin e vet që i ka përcjellë krerëve të Kuvendit të Shqipërisë edhe përsa i përket Kodit të ri Elektoral. Kështu, të njëjtat burime konfirmojnë se Withers ka përgëzuar përfaqësuesit e dy partive kryesore në vend për vullnetin dhe frymën e bashkëpunimit që kanë treguar gjatë gjithë procesit të hartimit të Kodit. Gjithashtu mësohet se ai ka vlerësuar si një arritje dhe shenje të pjekurisë së politikës shqiptare, që pas kaq vitesh demokraci partitë politike shqiptare mundën të hartojnë një ligj kaq shumë të rëndësishëm. Duke iu referuar edhe grevës së urisë së dhjetë deputetëve, Ambasadori amerikan mësohet të ketë vënë në dukje faktin se ambasada amerikane është duke e ndjekur të gjithë këtë debat dhe se nuk do të miratonte asnjë hap nga cilado forcë politike që do të kundërshtonte një vendim që merret me shumicë dhe konform rregullave ligjore nga Kuvendi.
Kryetarja e grupit të PS-së, Leskaj dhe ai i PD-së, Patozi deklaruan dje arritjet e Kodit
Zgjedhjet, PD e PS garantojnë konsensus në të ardhmen
TIRANË- Ashtu siç edhe pritej, dy partitë kryesore në vend, PD e PS kane qenë në një qëndrim për përmbajtjen e Kodit të ri Zgjedhor. Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi mbrëmë se Kodi i ri Zgjedhor është një goditje përfundimtare për fenomenin e “Dushkut”. “Ai i thotë lamtumirë certifikatave, kësaj plage të rëndë të zgjedhjeve tona, dhe një numër teknikash që ndër vite kanë cenuar votën e shqiptarëve", tha ai. Duke folur për përparësitë e këtij drafti, Patozi tha se ky ligj është një produkt tërësisht shqiptar, i hartuar nga ekspertë shqiptarë. "Në këtë proces kemi tentuar konsensusin dhe jemi gati edhe tani, për të vijuar në këtë rrugë. Jemi këtu për t'iu thënë edhe atyre që janë kundër këtij Kodi, se vota e tyre do të numërohet me transparencë",- tha Patozi. Duke u ndalur tek akuzat e partive të vogla, për një marrëveshje të fshehtë mes PD-së e PS-së, ai tha se "ne po bashkëpunojmë me opozitën për reformat dhe Kodi zgjedhor është një nga reformat e mëdha të vendit". Ndërsa, kryetarja e grupit parlamentar yë PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi gjatë fjalës së saj realizimin nga qeveria të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, si dokumentet me të cilat do të votohet në zgjedhjet e ardhshme. Kryetarja e deputetëve socialistë tha se "reforma zgjedhore është një nga më të rëndësishmet, për të cilën PS ka investuar shumë seriozisht". "Për herë të parë forcat politike i sjellin Kuvendit një produkt pa ndërmjetësimin tradicional të ndërkombëtarëve, edhe pse reforma ka marrë konsulencën e tyre. Por, klasa politike shqiptare si përfaqësuese e një vendi që aspiron për në NATO, duhet të marrë përgjegjësinë e kësaj reforme", tha Leskaj. Ajo veçoi si sukses për reformën zgjedhore, realizimin e kodit tetë muaj para zgjedhjeve të 2009-s, riformatimin e KQZ-së, transparencën në numërimin e votave e të tjera risi të këtij p/ligji. Sipas saj përfshirja me 30% e grave në listat e kandidatëve përbën një arritje të spikatur për politikën shqiptare.
Me 112 vota pro, 1 kundër dhe 4 abstenime Kuvendi i ka dhënë “jetë” ligjit të ri zgjedhor,
Kuvend, miratohet Kodi i ri Zgjedhor
Deputetët e PBDNJ-së dhe PAD-së në disa nene kanë votuar kundër ose kanë abstenuar
TIRANË- Mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme debati për Kodin e ri Zgjedhor. Ndërsa deputetët grevistë i kanë dhënë fund vetëngujimit të tyre, Kuvendi ka miratuar Kodin Zgjedhor, duke i hapur rrugë tashmë dhe ngritjes së infrastrukturës së duhur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në qershorin e ardhshëm. Me 112 vota pro, 1 kundër dhe 4 abstenime Kuvendi i ka dhënë “jetë” ligjit të ri zgjedhor, hartimi i të cilit për herë të parë në 18 vite demokraci është bërë i mundur nga vetë ekspertë dhe politika shqiptare.
Seanca
E ndërsa pritej një seancë e tensionuar për vetë ngarkesat emocionale dhe politike që mbarti ky debat për më shumë se një javë, zhvillimet e mbrëmjes kanë treguar të kundërtën. Me largimin e deputetëve grevistë nga salla seanca ka vijuar normalisht punimet, ku për më shumë se 3 orë deputetët kanë diskutuar në lidhje me të rejat dhe risitë që mbart ky kod. Në përfundim të debateve është vijuar me votimin e projekt-kodit nen për nen dhe në përfundim edhe në tërësi. Ashtu siç edhe janë deklaruar gjatë fjalës së tyre, deputetët e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe kreu i Aleancës Demokratike, nënkryetari i Kuvendit Neritan Ceka në disa nene ose kanë votuar kundër, ose kanë abstenuar. Kështu, neni 23 i draftit që ka të bëjë me aktet e KQZ-së dhe neni 26 i tij që përcakton mënyrat e përzgjedhjes së përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore në këtë institucion ka marrë votën kundër të Neritan Cekës. Katër vota kundër dhe 3 abstenime ka marrë edhe neni 36 ku sanksionohet formula e përbërjes së Komisioneve të Qendrave të Votimit. Tre vota kundër nga përfaqësuesit e partive të vogla ka marrë edhe neni 96 i Kodit, në të cilin jepen procedurat e përcaktimit të partive që kanë të drejtë të kenë anëtar në grupet e numërimit të votave.
Kodi
Kodi i ri Zgjedhor që mori dhe një mbështetje maksimale gjatë votimit në Kuvend, sjell një sërë ndryshimesh rrënjësore si një reflektim edhe i ndryshimit që iu bë sistemit zgjedhor disa muaj më parë në Kushtetutë. Një nga pikat që kanë sjellë dhe debatet me të mëdha kryesisht me partitë e vogla është ajo që ka të bëjë me formatimin e institucioneve të administrimit të procesit zgjedhor siç është KQZ, KZAZ, KQZ dhe grupet e numërimit. Përsa i përket KQZ-së ajo tashmë do të ketë 7 anëtarë të cilët do të zgjidhen me një mandat kohorë prej 4 vjetësh, sipas formulës 2 anëtarë PD, 2 anëtarë PS, 1 anëtarë nga forcat e vogla të spektrit të djathtë dhe 1 anëtarë nga forcat e vogla të spektrit të majtë. Kryetari do t’i përkasë PD-së, ndërsa nënkryetari PS-së. KZAZ- të dhe KQV-të do të kenë po ashtu 7 anëtarë që do të zgjidhen sipas formulës 2 nga PD, 2 nga PS, 1 nga partia e dytë e spektrit të djathtë dhe 1 nga partia e dytë e spektrit të majtë, ndërsa kryetari do të zgjidhet me short mes PD-së dhe PS-së. Grupet e numërimit do të përbëhen nga 4 anëtarë, 1 nga PS, 1 nga PD dhe dy të tjerët me short nga partitë vogla. Numërimi i votave do të bëhet nën vrojtimin e kamerave që do të instalohen në çdo tavolinë numërimi vote. Gjithashtu një prurje e re që sjell ky kod është edhe përcaktimi si detyrim i krijimit vetëm të koalicioneve zgjedhore të përbëra, ku secila forcë politike duhet të kandidojë me listën e vet shumëemërore. Sipas këtij ndryshimi rezulton se dy ose më shumë parti politike mund të garojnë së bashku në një koalicion zgjedhor duke paraqitur domosdoshmërisht secila listën e vet shumëemërore të kandidatëve për deputetë. Një zhvillim shumë pozitiv është vlerësuar edhe fakti i sanksionimit në Kod i detyrimit të partive politike për të përshirë në listat e tyre zgjedhore 30 për qind kandidate femra. Arritje pozitive shënon kodi edhe në aspektin e procedurave të kontrollit të financimit të partive politike në fushata, duke vendosur sistemin bankar si mundësinë e vetme të lëvizjes së donacioneve të cilat nuk mund të jenë më të mëdha se 1 milionë lekë nga një person.