Part-time, rishpërndarje për kuotat
Ministria e Arsimit do të rishpërndajë kuotat e mbetura bosh gjatë fazës së parë të regjistrimeve në sistemin me kohë të pjesshme, bëjnë të ditur për “standard” burime pranë këtij institucioni. Udhëzimi i posaçëm i ministrit Tafaj për rishpërndarjen e kuotave pritet të nënshkruhet gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që, me sa bëhet e ditur, regjistrimet do të kryhen në fillim të vitit të ardhshëm.
Rishpërndarja
Rishpërndarja e kuotave ishte parapërcaktuar edhe në udhëzimin e parë të ministrit Tafaj për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në sistemin me kohë të pjesshëm dhe në sistemin e edukimit në distancë, në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë në vend.
“Kuotat e pranimeve në studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme dhe edukimin në distancë, të përcaktuara në pikën 1 të vendimit nr. 1113, datë 13.11.2009 të Këshillit të Ministrave, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen sipas Institucioneve publike të Arsimit të Lartë dhe programeve të ndryshme të studimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, - përcaktonte udhëzimi i mëparshëm i ministrit Tafaj.
Dokumentet
Burime nga MASH-i bëjnë të ditur se dokumentet e regjistrimit do të jenë të njëjta me fazën e parë. Pra, dokumentet e regjistrimit do të jenë sërish: Dëftesë pjekurie të shkollës së mesme ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; dokument identifikimi (certifikatë lindjeje me fotografi ose pasaportë). Në dosje të mbahet certifikata e lindjes me fotografi ose fotokopja e pasaportës; 2 fotografi; mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë dhe deklaratë individuale e kandidatit, sipas modelit bashkëlidhur këtij udhëzimi.
Në qoftë se kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie origjinale, siç përcaktohet më sipër, duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/ Zyra Arsimore përkatëse ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA. “Kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, përveç dokumenteve të përcaktuara, të dorëzojnë në sekretaritë mësimore dhe diplomën e lëshuar nga një Institucion i Arsimit të Lartë (ose fotokopje të saj të noterizuar) ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e barasvlershme me të”, – sipas udhëzimit të parë.
Ndërkaq, pritet që edhe këtë vit gjatë fazës së dytë të regjistrimit për sistemin me kohë të pjesshme, të pranohen edhe kandidatë të rinj.