E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një sjellje e padenjë ditë e Kërshëndellave

Njerëzit me vetëdije të zbehtë historike i shikojnë festat si një rast për aheng, çlodhje nga puna apo garë të llupësve dhe pijanecëve me imagjinatën për të vërtetuar sasinë ekstreme të ëmbëlsirave dhe pijeve që një njeri mund të rrasë në stomak në një natë të vetme. Radha e gjërave e ka humbur fillin, nga pasojë, argëtimi është kthyer në qëllim.
Kjo mund të tolerohet te fëmijët, sepse ata janë krijesa me vetëdije historike të ulët të justifikuar, ndërsa për të rriturit festat kanë (ose duhet të kenë) dimension shpirtëror.
Nëse festat do të ishin një tavolinë e pasur me artikuj ushqimorë, të pasurit duhet të jenë njerëzit më fatkeqë në botë, sepse jetojnë një festë të pafundme, e cila, e parë nga një këndvështrim tjetër, është thjesht një jetë monotone. Mirëpo, në realitet, ka mundësi që edhe këta fatkeqë të festojnë.
Festat kanë nisur për të kujtuar, për të shprehur mirënjohje dhe për të vlerësuar një ngjarje apo individë të caktuar me rëndësi në jetën apo historinë e njerëzve – dhe, kur harrohet kjo, sado e pasur të jetë tavolina, mbrëmja e humbet kuptimin.
Nga një këndvështrim tjetër, festat janë identitet. Me Kërshëndellat identifikohen të krishterët, me Kurban Bajramin myslimanët, me 28 Nëntorin shqiptarët e kështu me radhë.
Të përkujtosh ko ditë, nuk do të thotë të kesh kushte optimale materiale që mendohet se të bëjnë të lumtur, por të bësh më të mirën e mundshme në rrethanat që ndodhesh.
Në librin e tij “Rrno për me tregue”, At Zef Pllumi, kujton që i festoi Pashkët në burg. “Për pashkët e vitit 1949”, kujton ai, At Leon Kabashi i tha Davës një murgeshë: “Në papuçe ma sill bjer dhe borxhin e Pashkëve”. Ndodheshin në dhomën e takimit në burg. “Policat e spiunët që ndiqshin fjalët, nuk mbërrijtën me e kuptue se ai kërkonte kungimin”.
Në takimin tjetër, papuçet erdhën. At Leoni ia kaloi At Zefit dhe ky, me majën e gjilpëre, nxori prej tyre korpoalat brenda të cilave ishin fshehur “50 oste të shugurueme”. “At Leoni adhuroi Krishtin në dukjen e ostjes”, - shkruan Pllumi, dhe iu kthye sërish duke i thënë: “Mbaji ti, se je ma i shkathtë se un. Jemi në burg, gjithshka mund ndodhin. Ti rueje Krishtin”.
Këta njerëz, në ditët e tyre më të errëta, nuk u ankuan te autoritet pse nuk kishin kushte për të festuar, siç bënë disa banorë të Kombinatit sivjet që protestuan ndaj qeverisë ditën e Kërshëndellave për ujin e pijshëm, por festuan, ashtu si mundën.
Historia, megjithatë, ka edhe raste më ekstreme se ky.
Në faqen e internetit www.history.com gjendet një histori interesante nga Krishtlindjet e vitit 1914 në Frontin e Perëndimit:
“Gjatë Luftës së Parë Botërore, rreth ditës së Kërshëndellave, krismat e pushkëve dhe shpërthimet e bombave u shuan në një numër vendesh përgjatë Frontit Perëndimor, me qëllim festimin e pushimeve në transhera, si gjest i vullnetit të mirë mes armiqve”.
“Duke filluar me vigjiljen e Kërshëndellave, shumë ushtarë gjermanë dhe britanikë i këndonin njëri-tjetrit këngë Kërshëndellash dhe në pika të veçanta ushtarët aleatë dëgjuan madje edhe banda frymore që shoqëronin bandat gjermane nën tingujt e gëzueshëm.
“Mëngjesin e Kërshëndellave, disa ushtarë gjermanë dolën nga transhetë e tyre dhe iu afruan vijës së aleatëve te zona neutrale, duke thirrur “Gëzuar Kërshëndellat” në gjuhën e armiqve. Fillimisht, aleatët u trembën se mos ky ishte truk, por duke parë që gjermanët ishin të paarmatosur, ata dolën nga transhetë dhe shtrënguan duart me ushtarët armiq. Ushtarët shkëmbyen dhurata cigaresh dhe reçeli dhe kënduan së bashku këngë fetare. Madje ka një rast të dokumentuar ku ushtarët e palëve kundërshtare luajtën futboll të qetë mes tyre”.
“Disa ushtarë e shfrytëzuan këtë pushim zjarri të shkurtër për një veprim më fisnik: tërheqjen e shokëve të tyre që ishin vrarë në zonën neutrale mes vijave të zjarrit”.
Me kësi historish në mendje, protesta e banorëve të Kombinatit ditën e Kërshëndellave, të dukej thjesht një vepër e ulët e prodhuar nga njerëz më malinj se personazhi i pashpirt i Dikensit, Ebenezer Scrooge, në romanin “Një këngë për Kërshëndella” . Banorët e Kombinatit mund të mos kenë ujë, por në Tiranë e në shumë vende të Shqipërisë ka njerëz që nuk kanë as shtëpi ku qeveria t’u çojë ujin dhe ata nuk u panë gjëkundi të protestonin. Në të gjithë vendin dhe të gjitha vendet qytetarët kanë probleme nga më të ndryshmet, por kjo nuk do të thotë që vetëm ata, të cilëve u ecin punët fjollë, mund të festojnë. Kërshëndellat janë festuar në Shqipëri edhe kur Kombinati ishte thjesht një kullotë dhe mushkonja në atë zonë ishte më e madhe se bidonët që ata kishin vendosur në pemën e improvizuar të Kërshëndellave. Njerëzit i kanë festuar ditët e tyre të shenjta edhe në kasolle kashte, pa drita, pa ujë, pa asfalt e pa shumë elemente, pa të cilat njerëzve “modernë” u duket jeta ferr. Dhe gjëja më e shëmtuar: me pemën e improvizuar ku ishin varur bidonët bosh, ndërtuesit e saj përdhosën një simbol me të cilën të krishterët nuk kanë marrëdhënie dekorative, por një lidhje të fortë shpirtërore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›