“Kërkojmë një mandat tjetër, për të vijuar me reformat dhe integrimin e vendit”
Ministri Lulzim Basha takon banorët e zonave Tregan dhe Shirgjan në Elbasan
TIRANE - Anëtari kryesisë së Partisë Demokratike dhe njëherazi ministër i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha theksoi dje gjatë takimeve me banorë të fshatrave Tregan dhe Shirgjan të Elbasanit, se në qendër të politikave të mazhorancës qeverisëse në mandatin e ardhshëm do të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve shqiptarë.
“Në qendër të politikave të kësaj mazhorance, ka qenë, mbetet dhe do të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve shqiptarë pa dallim”, tha ministri Basha, duke shtuar se gjatë këtyre viteve të qeverisjes së mazhorancës së djathtë asnjë zonë e Shqipërisë nuk u diskriminua me investime, qofshin drejtues të tyre socialistë a demokratë.
Shqipëria, tha ministri Basha, është kthyer në vend të preferuar për investime të huaja. “Sot ajo renditet mes 28 vendeve më të fuqishme të botës në Aleancën e Atlantikut të Veriut e nesër qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin lirisht nëpër Evropë”, tha ministri
Basha, duke shtuar se të gjitha këto u mundësuan falë një vullneti të fortë të kësaj mazhorancë.
Sipas tij, kjo arritje do të thotë shumë.
“Të jesh sot anëtar i NATO-s do të thotë të jesh në paradhomë të BE-së, do të thotë në radhë të parë që qytetarët shqiptarë, brenda një kohe të shkurtër, me pasaportat biometrike në duar, të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së”, tha Basha.
Sot, vijoi ai, kërkojmë një mandat të dytë për të vijuar më tej me zhvillimin e integrimin të vendit. Shefi i diplomacisë shqiptare shprehu bindjen se qytetarët, me votën e tyre me 28 qershor, do të dinë të ndajnë premtimet e bëra realitet nga ato që do të mbeten nëpër enciklikat e PS-së dhe të kryetarit të saj, i cili për 10 vjet që është në pushtet, nuk arriti të përmirësojë as infrastrukturën e një qyteti.
Ministri i Punëve të Jashtme vuri në dukje se përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale, punësimi dhe rritja e pensioneve, do të jenë në qendër të politikave të kësaj mazhorance edhe në katër vitet që do të vijnë.