Listat zgjedhore të PS, peng i dilemave personale të Edi Ramës
TIA, apel partive për të publikuar emrat e kandidatëve për deputetë
Ndërsa LSI prezanton nga dita në ditë emrat e kandidatëve të saj për ne zgjedhjet e qershorit në selinë rozë mbizotëron një tension i madh në lidhje me fatet e shumë deputetëve aktuale por edhe vetë kryesocialistit.
TIRANE – “Trasparency Interanational Albania” i ka bërë dje thirrje partive politike që të publikojnë sa më parë listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Përmes një reagimi të djeshëm për mediat, TIA e konsideroi këtë vonesë si shumë të dëmshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa kërkoi nga forcat politike garuese në këto zgjedhje të mos fshehin CV e kandidatëve dhe të nxitojnë me publikimin e emra që kandidojnë për deputet.
Në këtë deklaratë TIA kërkoi gjithashtu që kandidatët të publikojnë edhe deklaratën e pasurisë së kandidatëve në mënyrë që votuesit të njihen me secilin prej tyre. Madje sipas “Transparency International Albanai” ky proces duhet të bëhet përmes publikimit në një faqe zyrtare interneti dhe në gazetat më të mëdha në vend në mënyrë që i gjithë publiku të konsultohet me deklaratat e pasurisë së kandidatëve.
Në kampin e opozitës deri tani premtimet për t’i bërë publike këto lista shumë kohë përpara zgjedhjeve, nuk i kanë mbajtur pjesa dërrmuese e partive politike. Përjashtim bën vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim e cila gjithsesi gjatë takimeve të saj nëpër rrethe të ndryshme të vendit ka prezantuar edhe kandidatët e saj për deputetë. Përkundër kësaj praktike, Partia Socialiste mbetet tërësisht e bunkerizuar në këtë aspekt. Edhe pse kërshëria e medias, për të mësuar mbi ata që nuk do të jenë më deputetë apo mbi prurjet e reja të linjës së re politike “përtej së majtës dhe të djathtës”, ka qenë e madhe, asgjë nuk është mundur që të mësohet më saktësi.
Kjo heshtje ka ka shkaktuar jo pak tension në rradhët e grupit parlamentar socialist dhe në tërësi në selinë qendrore të Partisë Socialiste.
Pak muaj më parë kryesocialisti Edi Rama pati deklaruar se hartimi i listave të kandidatëve për deputet do të bëhet përmes një procesi demokratik dhe transparent.
Sipas tij listat e kandidatëve për deputetët që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme
nën siglën e Partisë Socialiste, do përgatiten nëpërmjet një procesi të gjere konsultash
me qytetarët. Asokohe Rama bëri të ditur se PS ishte duke përgatitur një skemë të posaçme për të bërë sa më efektive thithjen e mendimit nga elektorati.
E megjithatë përgjatë turit nëpër rrethe përveç fjalimeve standarde mbi përplasjen
e madhe të “politikës së vjetër” dhe “politikës së re”, askush nga simpatizantët
e thjeshtë nuk ka mundur që të kuptojë nëse ka apo jo konsultime, marrje
mendimesh apo propozime emrash konkretë. Ngushëllimi i vetëm në këtë rast
është fakti që në këtë çështje nuk janë të paqarta vetëm fatet e shumë
deputetëve aktualë të grupit parlamentar të PS-së por mbetet i dyshimit edhe
pozicioni që vetë kryesocialisti Rama do të ketë në këtë përballje elektorale, e
cila ndryshe nga ajo e lokaleve të shkurtit 2007 dhe gjithnjë nëse statuti i retushuar
e ka një farë vlere, përbën edhe provën e zjarrit për kryebashkiakun që nëse
humb detyrohet që të braktisë drejtimin e selisë rozë.
I pyetur mbi këtë tollovi paraelektorale që mbizotëron në partinë kryesore të opozitës, kreu i Partisë Socialiste i është përgjigjur me stigmën standarde se pyetje të tilla nuk synojnë gjë tjetër veçse të ushqejnë “telenovelën e mërzitshme të politikës së vjetër” në të cilën ai pretendon se nuk bën pjesë.