Dosja Pango, hakmarrja e Agim Bendos...
Gjyqtari Agim Bendo ka pasur konflikt interesi me emisionin “Fiks Fare” dhe si i tillë ai duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga gjykimi çështjes “Pango”. Dhe nuk do të ishte ky rasti i parë, pasi janë me dhjetëra gjyqtarët që kanë hequr dorë nga proceset gjyqësore që u kanë rënë për gjykim menjëherë sapo kanë konstatuar konflikte të ngjashme interesi. Disa vite me parë emisioni “Fiks Fare”, gjatë trajtimit të një teme mbi fajdet, në një letër të Shemsie Kadrisë, përmend edhe emrin e një personi të quajtur Agim Bendo. Menjëherë pas emisionit, gjyqtari reagoi fort përmes një letre drejtuar emisionit “Fiks Fare”, që të përgënjeshtrohej ky fakt, dhe të bëhej saktësimi se emri Agim Bendo nuk i përkiste gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës. E duke qenë se gjyqtari kërkoi me ngulm saktësimin, “Fiks Fare” në atë kohë reagoi. Kjo përplasje në drejtësi konsiderohet precedent dhe konflikt interesi, konflikt të cilin gjyqtari e përmend në rastin “Pango”, por siç duket ka harruar ta shohë në rastin e tij. Dhe, një konflikt i tillë, në jo pak raste ndikon edhe në gjykimin e çështjeve siç është kjo mes “Fiksit” dhe zotit Pango. Në pozicionin e juristit, Spartak Braho shprehet se të paktën moralisht Agim Bendo duhet të jepte dorëheqjen nga gjykimi.
“Nëse ka konflikt interesi kjo është një çështje procedurale gjyqësore; nga pikëpamja morale po të isha unë në vend të tij do të hiqja dorë”, thotë Braho. Vetë Agim Bendo ka dhënë dorëheqjen nga gjykimi, në procesin ku Agim Shehu kërkonte rikthimin e gradave tre vjet më parë, pasi në vitin 1998 Gjykata e Tiranës që drejtohej në atë kohë po nga Agim Bendo kishte dhënë një vendim që ia kishte hequr gradat gjeneralit. Gjyqtarja Zina Sollaku refuzoi të ishte pjesë e trupës gjyqësore kur një “showgirl” paditi Prokurorinë e Krimeve të Rënda për publikim të filmimeve, duke u shprehur se në atë kohë bashkëshorti i saj, Theodhori Sollaku, ishte Prokuror i Përgjithshëm e për rrjedhim edhe drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ajo kishte konflikt interesi. Të tjerë gjyqtarë që kanë dhënë dorëheqjen për konflikt interesi janë Kreshnik Omari për çështjen “Gërdeci”, Fatos Qato për çështjen e Mero Bazes dhe po kështu edhe për të njëjtën çështje sërish Zina Sollaku, pasi ajo kishte një çështje të pazgjidhur në Gjykatën e Shkallës së Parë me Bazen.
#