E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë lirimin e Haradinajt

Ne jemi këtu për Ramush Haradinajn, dhe i bëjmë thirrje Dhomës së Apelit të Tribunalit të Hagës që sa më parë t'i lirojnë çlirimtarët tanë dhe t'i kthehen familjeve të tyre dhe Kosovës, sepse besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre,
është thënë në tubimin e solidaritetit me Ramush Haradinaj.

Qindra qytetarë të komunës së Deçanit dhe më gjerë janë mbledhur të dielën te kullat e familjes Haradinaj në Gllogjan, në një tubim solidarizues me Ramush Haradinaj me moton “U bo Boll! Na duhesh më shumë se kurrë”.

Të pranishmit duke qenë të bindur në pafajësinë e Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, kërkuan nga Tribunali i Hagës që sa më parë ata të lirohen dhe t’i kthehen Kosovës.

Pas homazheve te varrezat e dëshmorëve, në emër të qytetarëve, të pranishmëve iu drejtua aktori Blerim Gjoci, i cili tha se janë mbledhur për të shprehur mbështetjen për Ramush Haradinaj, i cili gjatë luftës dha kontributin e tij për lirinë e vendit.

“Edhe pse përkohësisht në mesin tonë nuk e kemi një nga kujdestarët më të denjë të lirisë së Kosovës, ne sot këtu me praninë tonë dëshmojmë se edhe ne me dinjitet dhe të patundur, jemi të bindur se Kosovës do t'i kthehet një nga krijuesit më të zjarrtë të pavarësisë së saj. Ne jemi këtu për Ramush Haradinaj, sepse të gjithë thellë e dimë se nuk mund të hapim rrugë përpara dhe me siguri pa njërin nga udhëheqësin tonë më meritor për këto ditë që vazhdojnë të na ngrohin në diellin e lirisë”, ka thënë Gjoci.

Përfaqësuesja e shoqatës “Thirrjet e nënave”, Nysrete Kumnova, theksoi se familja Haradinaj dha shumë për lirinë e Kosovës dhe themelimin e shtetit të saj. Ajo drejtoi një reagim dhomës së apelit të Tribunalit të Hagës,duke kërkuar liri për çlirimtarët dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ju bëjmë thirrje dhomës së apelit të Tribunalit të Hagës që sa më parë t'i lirojnë çlirimtarët tanë dhe t'i kthehen familjeve të tyre dhe Kosovës, sepse besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre. Shoqata “Thirrjet e nënave” dhe familjar të të pagjeturve mbesin me shpresë se drejtësia do të dalë në shesh dhe do të triumfojë në të mirë të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe çlirimtarëve tanë”, ka thënë Kumnova.

Në emër të familjes Haradinaj të pranishmit i përshëndeti, Daut Haradinaj, i cili tha se tashmë janë mësuar të mblidhen në këtë vend për t'i respektuar dëshmorët, por kësaj radhe janë mbledhur për t'i dhënë një përkrahje Ramush Haradinajt.

“Kësaj radhe jemi mbledhur t'i japim një përkrahje Ramushit dhe në emër të familjes dëshiroj t’ju falënderoj të gjithë të pranishmit që janë prezent me bindjen që kjo prezencë dëshmon luftën tonë të pastër, të drejtën tonë për të luftuar për të mbrojtur vendin tonë”, ka thënë Haradinaj.

Me këtë rast Gjin Berbati, fëmijë, i ka dorëzuar babait të Ramush Haradinajt, Hilmi Haradinaj, një mirënjohje për kontributin dhe sakrificën që kjo familje dha për lirinë e Kosovës.

Gjykata e Hagës kohë më parë ka vendosur për rigjykimin e pjesshëm të liderit të AAK-së Ramush Haradinaj. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›