E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’u përfill prokurori

Bejtush Gashi është i njohur edhe më herët për policinë. Bejtushi, nga fshati Bardhosh i Prishtinës, që dyshohet se ka vrarë ish-gruan e tij, Elhame Krasniqin, babanë e saj Shabanin, si dhe ka plagosur motrën e saj, Hidajete Krasniqin, janë kulmi i tërë atyre veprave që ky person dyshohet se i ka kryer.

Kundër këtij personi janë ngritur edhe katër kallëzime të tjera penale. Dy prej tyre në vitin 2009, e dy të tjera në vitin 2010. Që të gjitha, në lidhje me ushtrimin e dhunës ndaj familjes së tij. Këtë e konfirmon edhe Arbër Beka, zëdhënës i Policisë së Kosovës. Sipas zyrtarit të policisë, në të katër rastet, Bejtush Gashi ka qenë i dyshuar për dhunë dhe lëndime të lehta trupore ndaj familjarëve të tij.

“Komplet rastet, duke përfshirë edhe kallëzimet penale, janë dërguar në Prokurorinë Publike Komunale të Prishtinës. Prokurori ka bërë kërkesë që t’i caktohet masa e paraburgimit, mirëpo nuk i është caktuar”, shpjegon Beka për Express.

Ai thotë që policia e ka lëshuar Bejtush Gashin me vendim të Gjykatës Komunale të Prishtinës. “Ne vetëm i kemi respektuar vendimet e gjykatës, respektivisht të gjykatësit, i cili është marrë me këtë rast”, pohon zëdhënësi Beka.
Kurse, muaj më parë, pas një urdhërese nga hetuesia, sipas zëdhënësit Beka, policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, në këtë rast, Bejtush Gashit.

“Kemi gjetur dy armë të gjuetie, të cilat i kemi konfiskuar, pasi hetuesit gjithmonë kanë dyshuar se mund të ndodhë diçka, duke marrë parasysh numrin e kallëzimeve penale ndaj këtij personi”, sqaron ai për Express.

Driton Muharremi është gjyqtari që është marrë me të gjitha rastet e kallëzimeve penale për dhunë në familje që Elhamja, tashmë e ndjerë, i ka raportuar në polici.
Por gjyqtari Muharremi shpjegon për Express se nuk ka qenë ai i vetmi i dyshuar për këto raste.

“Nuk është vetëm Bejtushi i dyshuar. Në kërkesën e prokurorit, edhe vëllai i tij Hasan Gashi, bashkë me ish-gruan e tij, kanë qenë të dyshuar”, thotë gjyqtari Muharremi.

Sipas tij, të dyshuarve nuk u është caktuar paraburgim ashtu siç ka kërkuar prokurori, duke pasur parasysh se ka qenë problem në rrethana familjare.

“Ne e kemi caktuar një masë dënimi për këta të tre, duke ua ndaluar atyre afrimin te personi i caktuar (Elhame Krasniqi) në afërsi prej 20 metrash”, thekson gjykatësi Driton Muharremi. Por sipas fqinjëve të Bejtush Gashit, personit që dyshohet se e ka shkaktuar tragjedinë e vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së rëndë, ai e ka kryer vrasjen pa pasur fare nevojë të afrohet 20 metra. Nga kati i dytë i shtëpisë ku jetonte, ai ka shtënë me armën AK-47, duke ua marrë jetën Elhame dhe Shaban Krasniqit dhe duke plagosur rëndë Hidajete Krasniqin.

Fakti se Bejtush Gashi ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj familjarëve dhe herë pas here ka pasur zënka me ish-gruan e tij, tashmë të ndjerën Elhame Krasniqi, e pranojnë edhe banorët e fshatit Bardhosh.

Njëri ndër fqinjët e tij, i cili preferoi të mbetet anonim, thotë se dy muaj më parë, Bejtushi është rikthyer në fshat me një grua tjetër, me të cilën ka vendosur të bashkëjetojë.

“Pas disa ditësh, e ka mbyllur komplet familjen në bodrumin e shtëpisë. I ka maltretu fëmijët dhe ish-gruan e tij. Për këtë punë policia e ka mbajtë atë vetëm dy ditë dhe e ka lëshu”, thotë ky banor për Express.

Sidoqoftë, pas aktit të ditës së mërkurë, kur Bejtush Gashi dyshohet se ka kryer vrasje të dyfishtë, Policia e Kosovës kësaj radhe e ka arrestuar atë, bashkë me gruan ë tij të dytë, me të cilën bashkëjetonte.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›