Kërkojnë ndihmë nga Milo
Udhëheqësit e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) po vazhdojnë të lobojnë për ta përshpejtuar procesin e ndërkombëtarizimit të basketbollit kosovar.
Kështu, të hënën një delegacion i FBK-së, i kryesuar nga kryetari i saj Fatmir Gashi, do të udhëtojë drejt Podgoricës për t’u takuar me presidentin e Federatës së Basketbollit të Malit të Zi, Milo Djukanovic – ish kreu i shtetit fqinj.
Shtëpia e basketbollit kosovar kohëve të fundit po bën përpjekje të mëdha që t’ua mundësojë klubeve të saj të marrin pjesë në garat e Ligës Ballkanike (BIBL) nga edicioni i ardhshëm, derisa të anëtarësohet në FIBA.
Pala kosovare do të kërkojë mbështetje në këtë drejtim edhe nga udhëheqësit e basketbollit malazez.
“Ne kemi raporte të mira dhe jemi në kontakte të vazhdueshme me homologët tanë nga Podgorica. E kemi aranzhuar një takim për të hënën me kryetarin e Federatës malazeze, Milo Djukanovic”, tha për Express sekretari i FBK-së, Nazmi Paçarada.
“Qëllimi i këtij takimi është koordinimi mes dy palëve për ta avancuar basketbollin e të dyja vendeve tona. Ne jemi të vetëdijshëm se Milo Djukanovic ka ndikim edhe në aspektin sportiv, e sidomos edhe në atë politik. Andaj, do të kërkojmë nga ai që ta shfrytëzojë ndikimin e tij dhe ta mbështesë basketbollin kosovar drejt ndërkombëtarizimit, duke filluar nga inkuadrimi në Ligën Ballkanike e deri te pranimi ynë i plotë në FIBA”, deklaroi Paçarada.
Duhet theksuar se kreu i Federatës malazeze, Milo Djukanovic, është njëri prej figurave më të njohura në skenën politike të shteteve të rajonit.
Ai është lideri i Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila aktualisht e mban pushtetin. Në kohën kur Djukanovic ishte kryeministër i Malit të Zi, shteti fqinj pati vendosur ta njohë zyrtarisht Republikën e Kosovës.
Madje, disa ditë më parë, Djukanovic i kishte bërë thirrje shtetit serb që ta njohë Republikën e Kosovës, në mënyrë që të evitohen të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohen vendet e rajonit.