Kërkojnë pension të parakohshëm dhe kthimin e kontributeve

Rreth 20 mijë punëtorë të ish-ndërmarrjeve shoqërore, tashmë të privatizuara në komunën e Prizrenit, kërkojnë nga institucionet qëndrore njohjen e pensionit të parakohshëm, kthimin e kontributeve gjatë viteve 1990-98 si dhe njohjen e stazhit të ndërprerë, pas largimit nga puna. Ata kanë formuar edhe Këshillin e Sindikatës prej 15 anëtarësh dhe paralajmërojnë protesta para Qeverisë në qoftë se nuk merren seriozisht kërkesat e tyre.
Ish -punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të Prizrenit, kryesisht ata të lëkurë-këpucëve dhe Industrisë së fijeve sintetike, tash e disa vite kanë mbetur pa punë dhe pa asnjë përkujdesje të shoqërisë si rrjedhojë e privatizimit të tyre.
Kryesindikalisti Gani Rexhaj thotë për Radio Kosovën se këta punëtorë kanë formuar Këshillin e Sindikatës me qëllim të kërkimit të të drejtave të punëtorëve, të cilët edhe ekonomikisht janë në gjendje shumë të vështirë.
Punëtorët, njëzëri, kërkojnë njohjen e pensionit të parakohshëm pasi që shumica syresh janë të pa punë dhe bredhin rrugëve të qytetit, thotë Rexhaj.
I mllefosur me mënyrën e privatizimit, Rexhaj njofton edhe për mbledhjen e nënshkrimeve me ç’rast peticioni do t’u dërgohet institucioneve qendrore.
E sindikalistët prizrenas edhe përkundër vështirësive do të jenë këmbëngulës në kërkesat e tyre tashmë të bëra publike, sikurse njohjen e pensionit të parakohshëm , kthimin e kontributeve gjatë viteve 90-98 etj. theksoi kryesindikalisti Rexhaj.
Nëse institucionet nuk e mbështesin realizimin e të drejtave të tyre, Rexhaj tha se nuk përjashtohet mundësia e organizimit të protestave para Qeverisë së Kosovës.
Vetën në komunën e Prizrenit, sipas të dhënave të sindikatës, ka rreth 20 mijë ish të punësuar të ndërmarrjeve shoqërore, të cilët presin nga institucionet mbështetje për t’i realizuar të drejtat e tyre, për të cilat kanë punuar me vite të tëra. /Indeksonline/