E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhandarmëria serbe pranë monumentit të UÇPMB-së në Preshevë!

(E plotësuar) Anëtarët e xhandarmërisë serbe arritën në Preshevë dhe janë stacionuar në afërsi të monumentit që u ngrit për të nderuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, njoton agjhencia e lajmeve “Presheva jonë”.

Në bazën e xhandarmërisë afër Bujanocit mbërritën pesë autobusë të ngarkuar me policë. Një natë më parë në këtë bazë ka ardhur edhe një kontingjent i xhandarmërisë.

Gjithçka është absolutisht në gatishmëri, që të zbatohet “vendimi i shtetit të Serbisë”, përkatësisht kërcënimi i kryeministrit serb, Ivica Dacic, për ta hequr këtë lapidar.

“Vuçiqi ka pritur kthimin e Daçiqit nga Brukseli, nga takimet me zyrtarët evropianë, për të arritur marrëveshjen për heqjen e monumentit kushtuar terroristëve në jug të Serbisë. Gjithçka do të dihet këtë fundjavë”, thotë burimi i ditores serbe Blic.

Ditë më parë në rrugët e Preshevës është vërejtur prani më e vogël e policisë se ditët më parë, ndërsa fjala kryesisht për policë të komunikacionit.

.....

 Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Luginës janë duke mbajtur takim me OVL të UÇPMB-së dhe familjarët e dëshmorëve, rrethë çështjes së lapidarit. Takimi, i cili ka filluar në orën 11:00 është duke vazhduar edhe në këto moment.

Sipas burimeve brenda takimit, familjarët e dëshmorëve janë duke u njoftuar për bisedimet që kanë përfaqësuesit politikë me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me OSBE-në, dhe propozimet që vijnë për zhvendosjen e lapidarit.

Po sipas këtyre burimeve qëndrimi i përbashkët i të gjithë pjesëmarrësve në takim është që lapidari nuk do të zhvendoset, mirpo ende nuk ka ndonjë vendim.

E nëse vie eventualisht deri te zhvendosja e tij, atëherë pala shqiptare ka disa kushte në drejtim të Qeverisë serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, raporton RTK. 

Në shkëmbim të zhvendosjes së lapidarit kërkohet që problemet politike të Luginës të zgjidhen njëherë e përgjithmonë, forcat e shumta të xhandarmërisë të zhvendosen nga Lugina e Preshevës, pozita e rëndë ekonomike dhe papunsia të eliminohen duke krijuar vende të reja të punës dhe hapje të fabrikave.

Në takim janë duke marrë pjesë edhe përfaqësuesit e OSBE-së, të prirë nga shefi i OSBE-së në Bujanoc, Eric Manoton.

...........

Lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu ka thënë se nuk ka pazar me gjakun e dëshmorëve.

“Lapidarin nuk e mbron vetëm ai që e ka vendosur, por i gjithë populli, partitë politike, institucionet lokale si dhe e drejta politike dhe historike e dëshmorëve të kombit, të cilët flijuan për të mirën tonë” ka thënë Musliu për preshevajonë.

Musliu ka thënë po ashtu se çështja e Lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, është politizuar skajshmërisht.

Sipas tij, aferën për monumentin e lirisë e sajuan zyrtarët dhe mediat serbe nga Beogradi, të cilët me çdo kusht po mundohen t’i kthejnë në Luginë incidentet e dikurshme, për ta zhvendosur problemin e veriut të Kosovës në këtë rajon.
.....

Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic dhe ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vucic, gjatë këtij vikendi do të sjellin vendim përfundimtar për heqjen e monumentit kushtuar anëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB). Është e mundur që monumenti të hiqet sot ose nesër, raportojnë mediat e Beogradit.

"Vucici ka pritur kthimin e Dacicit nga Brukseli, nga takimet me zyrtarët evropianë, për të arritur marrëveshjen për heqjen e monumentit kushtuar terroristëve në jug të Serbisë. Gjithçka do të dihet këtë fundjavë”, thotë burimi i ditores serbe Blic.

Ky burim shtoi se të Vucici dhe Dacici disa herë “kanë cekur se është e palejueshme vendosja e memorialit, por se nuk do të ndërmarrin ndonjë vendim i nxituar”.

Telegraf.rs ka raportuar se forcat e xhandarmërisë kanë hyrë në Preshevën dhe se janë stacionuar në afërsi të monumentit të UÇPMB-së.

"Gjithçka është gati për të vendimin e shtetit”, kanë thënë burimet e këtij mediumi serb./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›