Turqia e gatshme për të ndihmuar edhe më shumë FSK-në

Komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Kadri Kastrati me bashkëpunëtorë priti sot në një vizitë pune një delegacion të ushtarakëve të lartë nga Turqia, të kryesuar nga anëtari i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerallejtënant Metin Iyidill.
Si thuhet në njoftimin e MSFK-së, zëvendësministri Bejtush Gashi falënderoi Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë për bashkëpunimin dhe përkrahjen që po jep në ngritjen, trajnimin dhe donacionet e çmuara për FSK-në, raporton Koha.
Ndërkaq, Kadri Kastrati i njoftoi gjeneralët nga Turqia me zhvillimit aktuale në FSK, me objektivat e arritura për vitin 2012 dhe me sfidat që e presin këtë forcë në vitin 2013. Theks i veçantë u vu në rishikimin e sektorit strategjik të sigurisë dhe diskutimet që po bëhen nga Qeveria e Kosovës për strukturën e ardhshme të FSK-së në bashkëpunim me NATO-n dhe me partnerët e tjerë strategjik. Edhe Kastrati falënderoi kolegët nga Turqia për ndihmën e madhe që po jep ushtria turke. Në takim u shqyrtuan edhe mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi në fushat me interes dhe prioritet për FSK-në.
Metin Iyidill, duke shpreh falënderimet për mikpritjen dhe duke përgëzuar FSK-në për shkallën e arritjeve të deritashme, shprehu gatishmërinë e Ushtrisë së Turqisë që edhe në të ardhmen të përkrahë FSK-në në fushat që ajo i vlerëson me interes dhe prioritet, bashkëpunim ky i bazuar në marrëveshjen e nënshkruar për bashkëpunim në mes të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe Ministrisë së FSK-së, si dhe marrëdhënieve shumë të mira ndërshtetërore në mes të Turqisë dhe Kosovës./Indeksonline/